Objekti i Komunës së Shtimes u kushtoi qytetarëve 240 mijë euro më shumë – punët shtesë deri në kufirin ligjo

Komuna e Shtimes, e cila udhëhiqet nga kryetari Qemajl Aliu, i njohur edhe si “çlirimtari”, kishte planifikuar ndërtimin e një objekti të ri për administratën komunale. Për këtë projekt ishte përzgjedhur një grup i kompanive në konsorcium, me një vlerë rreth 2.5 milionë euro. 

Një vit pas lidhjes së kontratës për ndërtimin e objektit administrativ të Komunës së Shtimes, në vlerë prej 2,495,831.10 euro, kanë dalë punë shtesë që kapin shumën prej 237,621.46 euro,  apo rreth 9.5 për qind të vlerës së kontratës fillestare, shkruan Demokracia.com.

Kontrata është lidhur me të njëjtin grup operatorësh ekonomikë: Xhemshir Sejdija B.I., TALA ENGINEERING SH.P.K., B-BARDHI SH.P.K. dhe CIVIL ENG SH.P.K. përmes procedurës së negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, një praktikë që përdoret zakonisht për punë të paparapara gjatë zbatimit të projekteve.

Punë të paparapara, apo të projektuar keq?

Në dokumentet e paramasave shtesë, figurojnë disa pozicione të reja që nuk kanë qenë të përfshira në kontratën bazë. Midis tyre janë:

Fasada e ventiluar me panele alumini, në vend të sistemit të vjetër me styropor dhe lyerje.

Parketi laminat 12 mm, në vend të dyshemesë me gres porcelan.

Hidroizolim kondor me dy shtresa 2×4 mm, që më herët nuk ishte paraparë në themele.

Zgjerim i punëve të betonimit dhe armaturës, për mure dhe themele të bodrumit.

Këto ndryshime janë arsyetuar si “përmirësime teknike” dhe “përshtatje me kërkesat e mbikëqyrësit të projektit”, por mbetet e paqartë nëse janë rezultat i gabimeve në projektimin fillestar apo të ndryshimeve të vonshme gjatë zbatimit.

Në praktikën e ndërtimit publik, punët shtesë janë të pranueshme vetëm nëse janë të domosdoshme dhe të verifikueshme në terren. Por shpeshherë, ato janë vështirë të identifikohen pas përfundimit të projektit, pasi pozicionet e reja përfshijnë elemente që “zhyten” në strukturë  si beton, izolim apo instalime.

Një hetim i pavarur teknik do të mund të vërtetonte nëse punët shtesë janë realisht të kryera, apo nëse një pjesë e tyre janë shtesa fiktive, të cilat fryjnë vlerën e përgjithshme të projektit.

Fakti që brenda një viti kanë dalë punë shtesë në vlerë prej gati 240 mijë euro, tregon për një mungesë të planifikimit të mirëfilltë teknik. Punët shtesë të tilla shpesh lindin si pasojë e projektimit të mangët, ndryshimeve gjatë zbatimit ose mospërputhjes mes projektit dhe gjendjes reale të terrenit.

Por për momentin, mbetet fakt që vlera e projektit për objektin administrativ të Komunës së Shtimes ka kaluar nga 2.49 milionë euro në rreth 2.73 milionë euro.

Si ishte zhvilluar procesi tenderit

Demokracia.com, kishte raportuar se, më 12 shkurt 2024, Komuna e Shtimes kishte hapur tenderin me vlerë prej 2.5 milionë eurosh për ndërtimin e objektit të ri. Shumë kompani patwn shkakruar dosjen e tenderit, ndërsa dy prej tyre menjëherë patën bërë kërkesë për rishqyrtim, duke pretenduar se janë vendosur kritere të kundërligjshme. Pavarësisht këtyre pretendimeve, komuna e Qemajl Aliu i kishte hedhur poshtë ankesat. Një nga kompanitë më pas paraqiti ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), por befasisht u tërhoq nga ankesa, duke lënë dyshime për qëllimet e saj dhe përse ky proces po zhvillohej pa rregull. Tërheqjen e miratoi OSHP dhe e lejoi komunën që të vazhdojë tutje (Vendimi).

Pas tërheqjes së kësaj ankese, Komuna e Shtimes vazhdoi me vlerësimin e tenderit, ku në garë mbetën vetëm tri kompani. Për kontratë është rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë: “Xhemshir Sejdija B.I”, “Tala Engineering Shpk”, “B-Bardhi Shpk”, dhe “Civil Eng Shpk”. Oferta e përzgjedhur për kontratë ishte vetëm 4000 euro nën pragun e tenderit, në vlerën e saktë prej 2,495,831.10 euro, shkruan Demokracia.com.

Tërheqja e dyshimtë nga ankesa

Para hapjes së ofertave, kompania “Limitproject”, në pronësi të Lulzim Zarës, parashtroi ankesë në OSHP, duke pretenduar se janë vendosur kritere të paligjshme. Megjithatë, brenda disa ditësh, kjo kompani e tërhoqi ankesën pa dhënë asnjë arsye të qartë. Ky veprim ngriti pikëpyetje, sidomos duke pasur parasysh që “Limitproject” është kontraktues i madh nga Qeveria Kurti. Tërheqja e tyre mund të ketë qenë një manovër taktike, duke i lënë rrugë të hapur Komunës së Shtimes që të nënshkruajë kontratë me kompanitë e tjera.

Kompania “Limitproject” është fituese e disa tenderëve të mëdhenj të Qeverisë Kurti, siç dëshmohet nga E-Prokurimi. Ajo ka fituar tenderë të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës.

Edhe me ministrinë e Faton Pecit, po ashtu, për “Renovimi i objektit të MBPZHR-së në Ulpianë Prishtinë për pjesën që aktualisht është për shfrytëzim nga MBPZHR”, në një vlerë prej 359,827.85 euro.

Kritere të kontestuara

Ndër kriteret që kompania “Limitproject” pretendon se ishin të paligjshme, përfshihet kërkesa për një inxhinier ndërtimi me fokus në infrastrukturë rrugore, ndërsa objekti është një ndërtesë administrative. Një tjetër kërkesë ishte për një inxhinier të emergjencave me nivelin master, një kriter që u konsiderua kufizues dhe i panevojshëm. Kërkesa të tjera përfshinin pajisje të veçanta, të cilat vetëm një numër i kufizuar i kompanive mund t’i plotësojnë, duke krijuar një situatë monopoli të mundshëm.

Këto kritere janë një shembull i asaj që shpesh ndodh në proceset e tenderimit në Kosovë, ku autoritetet kontraktuese vendosin kërkesa të cilat kufizojnë konkurrencën e lirë. Për rrjedhojë, ato kompani që nuk i plotësojnë këto kritere të dyshimta mbeten jashtë garës, duke ia lënë hapësirën vetëm një grupi të ngushtë të favorizuar. Pra, këto kritere kanë mbetur të patrajtuara. (Ankesa)

 

Fituese të tenderëve të tjerë

Kompania lider e konsorciumit, “Xhemshir Sejdija B.I”, ka qenë e lidhur me kontrata të mëparshme me Komunën e Shtimes, përfshirë një kontratë për mirëmbajtjen e parqeve me vlerë prej 200 mijë eurosh.

Po ashtu, “Tala Engineering Shpk”, një nga kompanitë e përfshira në ndërtimin e objektit të ri, ka fituar një kontratë prej 150 mijë eurosh nga Komuna e Shtimes, ku janë evidentuar parregullsi, përfshirë çmimet e fryra për materialet e ndërtimit.  /Demokracia.com/