Dyert e hapura të banesës, tash e 5 muaj ta japin ndjesinë që janë në pritje të pronarit që nuk ku të kthehet më.
Gjësendet e shkrumbuara, tavani totalisht i djegur, era e rëndë, xhamat e thyer, kuzhinë e shkatërruar dhe dysheme e mbuluar komplet nga hiri.
Në maje të këtij objekti, flakët kapluan muret e gjithçka brenda katit u shkatërrua në vetëm pak orë.
Në mbrëmjen e 16 korrikut të 2025-ës, kati i 7-të i një prej banesave te Parku i Qytetit në Prishtinë, mori flakë e dëmet qenë të konsiderueshme.
Kështu të paktën sinjalizoi redaksinë e Kiks Kosovës, një banor i objektit.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 4 muaj që kur komplet kati i fundit i objektit u dogj, shkaktari ende nuk dihet.
Sipas A. G, një prej banorëve të këtij objekti, shqetësimet për ta po shtoheshin që në ditët e para të vjeshtës kur filluan reshjet e shiut.
Kësisoj, edhe dy kate të tjera tanimë kanë filluar të pësojnë. Ndonëse ankesat nuk i ndalën as në drejtim të komunës e as në drejtim të policisë, megjithatë për banorët as këto dy institucione nuk patën përgjigje. Kjo ngase, sipas tyre ende nuk ka raport zyrtar të arsyes së zjarrit.
Familja që jetonte në katin e fundit, tanimë janë larguar nga qyteti, njashtu kanë vepruar edhe banorët e katit të 6-të.
Teksa, banori paralajmëron që dhe kati i 5-të mund të zbrazet nëse gjendja nuk ndryshon.
Përveç dëmeve materiale, tanimë edhe komplet objekti, ka filluar të marrë erë e myku dalëngadalë po shfaqet në secilin kat.
Kësisoj, banorët po detyrohen që me forca të veta të intervenojnë që ta rregullojnë sadopak gjendjen.











