OAK reagon ndaj kërkesës së ATK-së: Shkelje e konfidencialitetit dhe sulm ndaj pavarësisë profesionale

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka reaguar ndaj një kërkese të dërguar nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ku kërkohet që qindra avokatë të dorëzojnë brenda një afati të shkurtër një sasi të madhe të dhënash, përfshirë informacione konfidenciale të klientëve, raporte me përmbarues privatë dhe bashkëpunime me sektorin publik dhe privat për periudhën 2019–2024.

Sipas OAK-së, kjo kërkesë përbën shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe cenon pavarësinë e profesionit të avokatit. Në reagimin e saj, Oda e cilëson këtë veprim si “arbitrar dhe të paarsyetuar ligjërisht”, duke e krahasuar me një “gjueti shtrigash” dhe jo me një procedurë të rregullt tatimore.

“Avokatët nuk janë mbi ligjin dhe nuk e kërkojnë këtë. Por kërkojmë trajtim dinjitoz dhe siguri juridike”, thuhet në reagim, ku theksohet se është e papranueshme që mbi 700 avokatë të trajtohen si objekt dyshimi për shkak të një hetimi të paqartë që mund të ketë në fokus vetëm disa përmbarues.

OAK ngre shqetësimin se kërkesa nuk përmban asnjë vendim të hapur për kontroll tatimor, nuk qartëson bazën ligjore dhe nuk saktëson statusin e procedurës – nëse bëhet fjalë për hetim penal, kontroll të rregullt apo inspektim tematik.

“Ky është një sulm ndaj integritetit të profesionit dhe ndaj besimit të qytetarëve në drejtësi. Është ndërhyrje e rrezikshme në marrëdhënien avokat–klient dhe krijon një precedent institucional të papranueshëm”, deklaron OAK.

Për këtë arsye, OAK ka paralajmëruar se do t’i drejtohet zyrtarisht Drejtorit të ATK-së, Ministrit në detyrë të Financave, Kryeprokurorit të Shtetit dhe autoriteteve të tjera për të kërkuar ndalimin e menjëhershëm të kësaj praktike.

“Avokatët do të kenë gjithmonë mbështetjen tonë të pakushtëzuar. Ne do të jemi zëri i tyre aty ku ka heshtje, mburoja e tyre aty ku ka presion”, thuhet në fund të reagimit.