Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është shprehur i pakënaqur me vendimin e Xhafer Tahirit për të bërë koalicion me Vetëvendosjen nën sytë e Albin Kurtit në Vushtrri.
Ai ka paralajmëruar se për fatin e Tahirit do të vendoset pas 10 nëntorit, një ditë pas balotazhit për zgjedhjet lokale.
Ai e ka quajtur qyqan Tahirin dhe ka thënë se ishte i habitur se si i pranishëm ishte Albin Kurti.
“Nuk e kam ditë që Kurti ka me qenë prezent atje, nuk ma ka marrë mendja që shkon. Ish dasht me i shku me i than atje o qyqan ku e ki kryetarin tënd? Jo valla s’e kom, e pse se ki, se s’u pajtu me këtë punë. Secili njeri që e shtrin qafën për një tjetër parti e për një punë që nuk është e tija fare”, ka thënë Abdixhiku.
“Nuk ka më me qëndru në LDK e pas shpinës një kryetar tjetër të partisë”, ka thënë kryetari i LDK-së në Debat Plus.
Abdixhiku ka thënë se një ditë para se të bëhej koalicioni, i kishte kërkuar Tahirit që të mos nënshkruante.
“I kemi kërkuar Xhafer Tahirit të mos bëjë asnjë nënshkrim sa i përket marrëveshjes, një natë më herët Jemi në betejë me 9 komuna dhe nuk e kemi mendjen më të vogël me u marrë me një garë ku nuk jemi pjesë në garë”, ka thënë ai.
“Për LDK-në marrëveshja është jovalide, LDK-ja nuk e njeh. Më pritni deri më dhjetë. Mu kanë dhimtë me i nda nja 3-4 veta me bo komisione dispilinore me u marrë me letra, në vend se të merren me mbledhjen e votave. Kjo është çështje disiplinore, është çështje e brendshme e LDK-së, na lini këto ditë të merremi me garë”, ka thënë ai.
“Kur ulësh aty e shtrin qafën e ki prapa kryetarin e një partie tjetër e nuk e ki kryetarin tënd, kjo nuk është përfaqësim i denjë”, ka thënë Abdixhiku.