NYT: Trump dëshiron të takojë Putin e Zelensky për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së Donald Trump planifikon të takohet personalisht me homologun rus Vladimir Putin javën e ardhshme dhe më pas të organizojë një takim trepalësh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, thanë për gazetën New York Times dy burime të njohura me planin.

Trump, sipas të njëjtave burime, foli për këtë qëllim gjatë një telefonate me udhëheqësit evropianë sot. Takimet do të përfshijnë vetëm atë, Putin dhe Zelensky, pa pjesëmarrjen e udhëheqësve evropianë, raporton KP.

Liderët evropianë, të cilët prej muajsh janë përpjekur të koordinojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të mbështetur Kievin, “duket se e pranuan atë që tha Trump”, tha një nga pjesëmarrësit në telefonatë.

Nuk dihet ende nëse Putin dhe Zelensky kanë rënë dakord me planin e Trump. Zelensky ishte në të njëjtën telefonatë me Trump dhe liderët evropianë dhe më vonë lëshoi një deklaratë duke thënë se kishte “folur me Trump”, duke shtuar se qëndrimi i përbashkët i Ukrainës dhe partnerëve të saj evropianë ishte se “lufta duhet të përfundojë”, por ajo duhet të jetë “një fund i nderuar”.

Në telefonatë morën pjesë edhe kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, kreu i  NATO-s Mark Rutte, zëvendës presidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe emisari special i Trump, Steve Witkoff.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karolina Leavitt tha se Trump ishte i kënaqur me “përparimin e madh” të bërë gjatë takimit të sotëm midis emisarit amerikan Steve Witkoff dhe presidentit rus në Moskë.

“Rusët kanë shprehur dëshirën për t’u takuar me presidentin Trump dhe presidenti është i hapur për t’u takuar si me presidentin Putin ashtu edhe me presidentin Zelensky. Presidenti Trump dëshiron që kjo luftë brutale të mbarojë”, tha Leavitt.

Trump zbuloi disa detaje të thirrjes në Truth Social, duke thënë se Witkoff u takua me Putin në Rusi për disa orë, por nuk përmendi planet e tij për një samit.

Kujtojmë, Trump është përpjekur pa sukses për muaj të tërë të gjejë një mënyrë për të arritur paqen midis Rusisë dhe Ukrainës.

The post NYT: Trump dëshiron të takojë Putin e Zelensky për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë appeared first on Kosovapost.net.