Numri i të vdekurve në Gaza nga lufta shkon në mbi 64 mijë

Të paktën 64.871 palestinezë janë vrarë në luftën e Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se 68 trupa të tjerë u sollën në spitale në 24 orët e fundit, ndërsa 346 persona u plagosën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në të paktën 164.610 nga sulmet izraelite.

Nga atje gjithashtu u theksua se brenda 24 orëve të fundit 10 palestinezë u vranë dhe mbi 18 të tjerë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite teksa përpiqeshin të marrin ndihmë humanitare, duke e çuar numrin total të palestinezëve të vrarë teksa kërkonin ndihmë në të paktën 2.494, me mbi 18.135 të tjerë të plagosur që nga 27 maji.

Autoritetet njoftuan se dy palestinezë të tjerë vdiqën nga kequshqyerja dhe uria në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të vdekurve të lidhur me urinë që nga tetori i vitit 2023 në të paktën 422 persona, përfshirë 145 fëmijë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrest ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë. /AA/