Numërimi prek fundin, një ulëse ende në lojë

Kur ka ngelur vetëm një pjesë e votave me postë për t’u numëruar që të përfundojë procesi i numërimit të votave të 28 dhjetorit, një ulëse në Kuvend ende mund të ndërrojë parti.

Aktualisht pas procesimit të 2790 vendvotimeve nga 2805 sosh, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 57 ulëse me 50.72 për qind. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 23 ulëse me 20.4 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.29 për qind pritet të marrë 14 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjashtë ulëse me 5.52 për qind.

Te tri partitë më të mëdha njëra ulëse në dy ditët e fundit ka kaluar nga PDK-ja te LVV-ja e më pas një nga LDK-ja te PDK-ja.

Sipas Eugen Cakollit nga Demokracia në Veprim, janë edhe rreth 14 mijë vota me postë ende për t’u numëruar dhe kjo ulëse mbetet ende në lojë. Sipas trendëve të deritashme, sipas Cakollit, LDK-ja mund ta rikthejë ulësen e 15-të nga PDK-ja e cila do të rikthehej sërish në 22.

Në anën tjetër, sipas tij VV-ja si fituese e zgjedhjeve e ka të vështirë ta mbërrijë ulësen e 58-të veçse nëse merr mbi 80 për qind të votave të mbetura.