Numërimi përfundon në 34 komuna, Prishtina ende në proces – rezultatet nga diaspora pritet të publikohen sot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), të cilat nisën një ditë pas zgjedhjeve lokale, po përfundojnë. Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është në vijim dita e dytë e numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës.

Sipas KQZ‑së, deri në orën 10:00 të së shtunës (18 tetor), aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 34 komuna, ndër të cilat: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë, Kllokot dhe Leposaviq.

Komunat që ende nuk e kanë përmbyllur verifikimin e rezultateve për Kryetarët dhe Kuvendet Komunale janë: Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Malisheva.

Zëdhënësi i KQZ‑së, Valmir Elezi, deklaroi: “Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të ditës së sotme, e shtunë, janë verifikuar rezultatet për 2,463 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,446 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 2,446, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 4,909.”
Sipas tij, procesi i numërimit për votimin jashtë Kosovës përmes postës (nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025) është duke vazhduar.

 

Ai shtoi se gjatë ditës KQZ-ja do të publikojë rezultatet nga ky numërim, i cili pritet të përfundojë në ditët në vijim.