Numërimi i votave vazhdon: A mund të ndryshojë sërish ndarja e mandateve?

 

Numërimi i votave është duke vazhduar.

KQZ-ja dje filloi me numërimin e votave me kusht, dhe deri më tash janë numëruar mbi 30% e tyre.

Trendi i votave me kusht, është i ngjashëm me atë të votimit në Kosovë, dhe VV-ja ka 49.80% të votave, përderisa PDK-ja është e dyta me 20.45% dhe LDK-ja e treta me 11.65%. AAK-ja gjithashtu ka rreth 9% të votave me kusht.

Në anën tjetër, KQZ-ja dje bëri të ditur se kanë pranuar edhe rreth 25 mijë vota të tjera me postë, të cilat janë të fundit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Tërheqja e pakove është përmbyllur më 5 janar 2026. Nga 13 kuti postare në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr gjithsej 11,867 pako me fletëvotime. Në total, rreth 58,000 shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Numërimi i pakove të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 do t’i nënshtrohet fillimisht vlerësimit/verifikimit, ndërsa ato që aprovohen do të numërohen në QNR”, thuhet në njoftim.

Këto vota me postë, mund të ndikojnë edhe në ndarjen e mandateve.

Kjo pasi dje Vetëvendosje ia mori PDK-së një deputet, dhe shkoi në 57 mandate.

Nëse VV-ja arrin në mbi 80% të votave në këto të fundit me postë, atëherë ka gjasa t’ia marrë LDK-së edhe një deputet dhe të shkojë në 58.

Kështu të paktën ka shkruar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Pas përfshirjes së votave me postë deri më tani, LVV ka fituar një mandat shtesë, duke kaluar në 57 mandate, ndërsa PDK ka rënë në 22 mandate. Ky ndryshim është rezultat i performancës së LVV-së në (rreth 72%), por edhe i performancës gati tre-fish më të dobët të LDK-së në votat me postë, krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit. Mandati i 57-të i LVV-së është fituar me diferencë minimale, meqenëse aktualisht, koeficienti i LVV-së është vetëm rreth 4 pikë më i lartë se ai i PDK-së, që në terma realë përkthehet në afërsisht ~160 vota diferencë në nivel kombëtar për atë mandat – një diferencë që statistikisht ende nuk e konsolidon përfundimisht atë ulëse për LVV-në”, ka shkruar Cakolli.

“Me rreth 20 mijë vota të tjera me postë dhe afërsisht 10 mijë vota me kusht ende për t’u numëruar, ndryshime në shpërndarjen e mandateve janë të mundshme vetëm nëse këto vota devijojnë ndjeshëm nga trendet aktuale. Konkretisht, skenarët e mundshëm (jo-definitiv) janë: LVV mund të kalojë në 58 mandate vetëm nëse arrin rreth 80%* të votave të mbetura me postë, ose edhe më pak pikë të përqindjes, në rast se LDK bie nën ~8%. PDK mund të rikthehet në 23 mandate vetëm nëse shënon një përmirësim të dukshëm të performancës (mbi ~13-14%), dhe njëkohësisht LVV ose LDK performojnë më dobët se deri tani. Në të kundërtën, shpërndarja aktuale e mandateve pritet të mbetet e pandryshuar: 57-22-15-6”, ka shkruar Cakolli.