Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se shpërfillja e institucioneve të drejtësisë nuk do të duhej të ndodhte nga askush e për më tepër nga drejtuesit e institucioneve.
Megjithatë, Bajraktari në një intervistë për Ekonomia Online tha se duhet të analizohen arsyet e mungesës dhe në rastin që përsëritet atëherë Gjykata duhet të shqyrtojë masa ndëshkuese.
“Natyrisht duhet parë dhe analizuar rrethanat e rastit konkret, cila ka qenë arsyeja nëse ka pasur pse nuk është paraqitur në të kundërtën natyrisht çdo palë në procedura veçmas kur bëhet fjalë për të pandehurën e ka detyrim me u paraqit në seancë. Mbetet të shihet nëse ka pasur rrethana të arsyeshme që ta njoftoj gjykatën në mënyrë që procesi të zhvillohet. Siç është njoftuar opinioni sot ka pasur të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, natyrisht si rregull sipas dispozitave sipas kodit të procedurës penale në rastin konkret të pandehurit do të mund të deklaroheshin në lidhje me fajësinë ose pafajësinë e tyre, mirëpo vlerësoj që duhet me pasë rrethana që e kanë pamundësu, natyrisht në të kundërtën gjykata duhet me shiku mundësinë nëse kjo bëhet e përsëritur që të lëshoj masa të tjera përmes të cilave natyrisht e bëjnë të domosdoshme prezencën e tyre në procedurë”, tha ai.
Avokati e ka nënvizuar se çdo qytetarë e ka detyrim t’iu përgjigjet ftesave që dërgohen nga organet e zbatimit të ligjit.
“Natyrisht ka qenë një qasje që nuk do të duhej me qenë sipas bindjes time. Shpërfillja e institucioneve të drejtësisë nuk do të duhej me ardh në shprehje nga askush e aq më tepër nga institucionet e veçmas siç është rasti krerët e institucioneve e rasti konkret çështja e kryeministrit. Vlen të theksohet që sipas dispozitave të ligjit në fuqi çdo qytetarë e ka detyrim me ju përgjigj ftesave të organeve të zbatimi të ligjit, çoftë të prokurorisë apo të gjykatës sipas rastit konkret”, tha Bajraktari.











