Nuk respektuan ditën e zisë, dy të arrestuar në Maqedoninë e Veriut

Dy persona janë privuar nga liria për mos respektimin e vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ditët e zisë.

Inspektorati Shtetëror i Tregut në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, vazhdon kontrollet e jashtëzakonshme ndaj objekteve gastronomikë.

Dy objekte që nuk e kanë respektuar urdhrin e qeverisë respektivisht kanë organizuar festa në ditë zie janë mbyllur dhe janë shqiptuar gjoba ndaj pronarëve.

“Në këto kontrolle gjatë ditës së djeshme janë konstatuar dy objekte që nuk e kanë respektuar urdhrin e qeverisë dhe kanë punuar. Me çka janë shqiptuar masa adekuate dhe janë mbyllur. Sa i përket kontrolleve të cilat bëhen në të gjitha objektet që janë me dhe pa licencë, vazhdojnë aktivitetet”, deklaroi Marija Miteva zëdhënëse e Qeverisë, raporton AlsatMk.

Miteva shtoi se edhe nga inspektorët e Ministrisë së Transportit, janë kryer kontrolle nga të cilat janë konstatuar se rreth 100 objekte që kanë licenca pasi janë pajisur me to nuk i ka përmbushur kushtet e nevojshme.

“Dua të informoj publikun sa i përket aktiviteteve të Ministrisë së Transportit ku gjatë kontrolleve të deritanishme janë konstatuar një numër i madh licencash të cilat do të hiqen, dhe atë rreth 100 prej tyre për shkak se është konstatuar se pas dhënies së licencave, subjektet juridike kanë ndaluar të plotësojnë detyrimet ligjore në bazë të së cilës më herët u janë dhënë këto licenca”, shtoi Miteva.

Sipas Qeverise, kontrollet intensive do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi shtatë ditë zie në mbarë territorin e vendit. Të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive si dhe shumë aktivitete tjera që ishin planifikuar të mbahen gjatë kësaj jave u anuluan.

Kujtojmë se të paktën 59 persona humbën jetën dhe rreth 155 të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një diskotekë në Koçani, në një ngjarje argëtimi nga grupi muzikor DNK.

Një protestë është thirrur për ditën e hënë nga Shoqata “Kush e ka radhën”, ku do të kërkojnë drejtësi për viktimat në Koçan.

Katër ditë më parë, mijëra qytetarë u mblodhën në Sheshin Maqedonia, për të nderuar me 16 minuta heshtjeje viktimat. Heshtja zgjati 16 minuta duke simbolizuar 16 marsin kur dhe ndodhi tragjedia. Përveç Shkupit, tubime të ngjashme pa fjalime pati edhe në disa qytete në Maqedoninë e Veriut.