“Nuk po nguli këmbë unë, por partia”: Haxhiu e rrëzuar 19 herë njofton se nuk tërhiqet

“Edhe nesër si 19 seancat e tjera…”

Plot nëntëmbëdhjetë herë është refuzuar nga deputetë të Kuvendit të Kosovës që të zgjedhjet kryetare – Albulena Haxhiu, njoftoi se nuk tërhiqet.

Emri i saj është përjashtuar a-priori nga partitë politike si një figurë thjesht-militanteje e cila s’mund të dalë jashtë një lëkureje partizane – çka një Parlament me shumëllojshmëri partiake e kërkon.

Por, Albulena Haxhiu në një intervistë të parë që nga kur seria e pafund e dështimeve të saj po vazhdon – tha se “edhe nesër si 19 seancat e tjera”.

“Nuk u takon atyre (partive ish-opozitare) të na tregojnë kënd e zgjedhim”, tha Haxhiu në “Konfront” të KTV-së – duke e dhënë për fakt-të-kryer se emri i saj do të qëndrojë pavarësisht çdo-bllokade.

“Ata janë të papërgjegshëm, të paarsyeshëm”, tha Haxhiu për partitë tjera që kanë kërkuar (dhe ofruar votë ) për një kandidat më kosensual.

Nga gazetarët u sfidua deri në ngërç: se Vetëvendosja asnjëherë në të kaluarn s’ka votuar për propozimet për kryetarë të kuvendit në legjislatura të kaluara – rasti konkret, ai i Kadri Veselit.

“PDK nuk ka pasur nevojë për votat tona, nuk është varur nga Vetëvendosja”, tha ajo – ndërsa situata është tash që, “ne kemi nevojë për votat e deputetëve”.

Haxhiu i qëndroi kundërthënies që nuk i kanë 61 vota për t’u zgjedhur ajo kryeparlamentare por se i kanë 61 vota për qeveri…

“Le të na testojnë, le ta shohin a i kemi 61 vota”, tha Haxhiu e cila ka nevojë vetë për 61 vota për t’u votuar.

Që ajo të jetë Kryetare e Kuvendit është me doemos – tha ajo – sepse përndryshe “deformohet komplet vullneti i popullit”.

Sikleti i madh…

Gazetarja e KTV e vuri në siklet të madh Albulena Haxhiun me një pyetje dhe nënpyetje tjetër. “A nuk po i bëni mirë emrit tuaj, biografisë tuaj, si një person që ka dështuar kaq shumë herë?”

Haxhiu uli kokën dhe provoi t’i heq fajin vetes: “Nuk është këmbëngulja ime, por qëndrim i partisë”, tha ajo.

“Nuk është këmbëngulja ime personale, por qëndrimi i partisë – ju lutem të mos e shihni si ambicie personale dhe këmbëngulësi timen. Është vendim i LVV-së, dhe i takon VV-së”, tha ajo.

  Nuk tërhiqem

Anipse ka dështuar plot 19 herë, Abulena Haxhiu tha se nuk do të tërhiqet nga kandidatura për Kryetare të Kuvendit.

“Deformohet komplet vullneti i popullit”, tha ajo.

“Secilin emër që do ta propozonim nuk do të kishte zmbrapsje. Kushdo që do të ishte vendosur në fillim, njësoj do ta mbronim. Prandaj nuk është çështje personale. Është çështje e të drejtës kushtetuese”, tha ajo.

Për më tepër, Haxhiu tha se nuk ka krizë të thellë, por se seancat çdo 48 orë po e bëjnë të duket e tillë.

Pse s’votonte VV kurrë kryeparlamentarët në të kaluarën?

U pyet se pse – nëse tash kërkojnë që të tjerët të votojnë për të – Vetëvendosje kurrë në të kaluarën s’ka votuar asnjë kryetar parlamenti, përkatësisht për rastin e Kadri Veselit.

“Në atë kohë nuk është varur nga votat e Vetëvendosjes (zgjedhja e Veselit). Në situatën kur po flasim tash na nevojiten votat. Dhe Aktvektimi i GjK 2014.

Ne kemi dy rrethana. GjK 2014 dhe nuk është varur nga VV zgjedhja e Veselit.

PDK ka pasur marrëvehsje me LDK dhe AAK, dhe nuk kanë pasur nevojë për Vetëvendosjen”, tha ajo.