“Nuk paguaj për të parë veten”; rrëfimi legjendar i Vierit për debutimin tek Interi

Një episod i paharrueshëm nga dita e debutimit tek Interi, treguar nga vetë Christian Vieri, gjendet në librin e tij “Chiamatemi Bomber”. Një histori krenarie, parimi dhe shpërthimi emocionesh në tempullin e “San Siros”: “Kur firmosa kontratën me Interin isha në Zvicër, ndërsa ndodhesha në grumbullim me kombëtaren. Tifozët ishin çmendur, abonimet po shiteshin me ritme marramendëse.

Ditën e debutimit, në shtëpi kundër Veronës, më 29 gusht 1999, stadiumi ishte i stërmbushur. Madje ishte plot që një orë e gjysmë para ndeshjes. Mbërritëm për kontrollin e fushës dhe gjëmimi i turmës ishte mbresëlënës; dukej si tërmet, ‘San Siro’ të ndal frymën. Për rastin kisha ftuar një ushtri miqsh, përveç familjes. Kur takova përgjegjësin tonë të shtypit, më tha: Qetësohu Bobo, gjithçka në rregull, zarfi me biletat është gati, pastaj do të t’i japim. Besoj e di, këtu të gjithë i paguajnë biletat…

Çfarë? – iu përgjigja. – I sheh këta 80 mijë tifozë? Janë këtu për të parë mua. Unë nuk paguaj asgjë, nuk paguaj për të parë veten time. Bëni si të doni, por unë po iki menjëherë në shtëpi. Mora çantën dhe dola nga dhoma e zhveshjes. Përgjegjësi i shtypit vrapoi pas meje dhe pas një minute u kthye me një buzëqeshje të tendosur: Biletat falas, s’ka problem.

Isha i ngarkuar, ndoshta tepër; nuk ishte çështje parash, por parimi. Ndeshja u mbyll me triumf, shënova 3 gola, fituam 3-0, stadiumi çmendej për mua duke thirrur emrin tim. U ktheva në dhomën e zhveshjes dhe në tunel takova sërish përgjegjësin e shtypit, duke i bërtitur në fytyrë: A e pe si janë gjërat? A e pe kush është Vieri?”

The post “Nuk paguaj për të parë veten”; rrëfimi legjendar i Vierit për debutimin tek Interi appeared first on Telesport.