Sulmet e kryeministrit Albin Kurti dhe të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, kanë qenë të zakonshme gjatë qeverisjes së tyre.
Prokuroria, Gjykatat dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kanë qenë nën shënjestrën e sulmeve të përditshme nga vetë Kurti, ministrat e tij dhe nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com
Kurti, ministrat dhe deputetët e tij nuk kanë pyetur në asnjë rast nëse këto sulme cenojnë rëndë pavarësinë kushtetuese të këtyre institucioneve.
Këto sulme kanë marrë përmasa ndërkombëtare, duke dëmtuar rëndë imazhin e shtetit të ri të Kosovës.
22 MARS 2023 – KURTI: NUK NDËRHYJMË NË PUNËN E INSTITUCIONEVE TË PAVARURA
“Ministrat e linjës kanë komunikuar dhe janë dakorduar dhe i kanë dhënë rekomandimet e tyre ZRrE-së në bashkëpunim me KEK-un sa i përket sektorit të energjisë e në veçanti sa i përket çmimeve të energjisë elektrike. Çka zotohem është se në njërën anë nuk ju ndërhyjmë punës së institucioneve të pavarura për në anën tjerr do të bëjmë që t’ju lehtësojmë barrën qytetarëve me çmimet dhe sigurimin e energjisë sa më stabil”.
Kështu deklaronte më 22 mars 2023, kryeministri Albin Kurti, në kohën kur Bordi i propozuar prej tij në Zyrën e Rregullatoit të Energjisë Elektrike (ZRrE) pritej të vendoste për rritjen e dytë të energjisë elektrike, pasi një vit më herët, në vitin 2022, e kishte shtrenjtuar atë mbi 100%.
Çuditërisht, kryeministri Kurti, i cili në vazhdimësi sulmon institucionet e pavarura kushtetuese, sulme këto që tashmë kanë marrë përmasa ndërkombëtare, ka njohur pavarësinë e një institucioni, i cili me vendimet e tij dhe lejen e shefit të Qeverisë, ka rënduar jetën e qytetarëve të Kosovës.
Kryeministri Kurti në asnjë moment nuk ka shprehur kundërshtimin më të vogël për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Kurti, në asnjë rast nuk ka bërë ndonjë deklaratë të fuqishme kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ashtu siç bënë çdo ditë për Prokurorinë, Gjyqësorin dhe Gjykatën Kushtetuese.
Kurti dhe Vetëvendosje, që protestonin kundër tarifave të energjisë elektrike, pasi erdhën në pushtet nuk bënë asnjë hap për lirimin e energjisë elektrike, por përkundrazi arsyetuan shtrenjtimin e saj në vitin 2022 dhe 2023, duke thënë se çmimet ishin tepër të lira dhe qytetarët nuk e dinin se ekzistonin apo duke thënë se nuk ndërhyjnë në punën e institucioneve të pavarura, siç është Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
Në përfundim të mandatit të tij si kryeministër, Albin Kurtit po “planifikon” t’ia lë edhe një dhuratë qytetarëve të Kosovës.
Bordi i Zyrës së Rregullatërorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) i propozuar nga Qeveria Kurti 2 pritet që deri në fund të muajit mars të vendos lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike për 35%, shkruan Demokracia.com.
Kjo do të ishte hera e tretë që Bordi i ZRrE-së i Qeverisë Kurti të vendosë për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Vendime të tilla, ky bord i kishte marrë edhe në vitin 2022 dhe 2023.
Këto rritje të çmimit të energjisë elektrike nuk ishin kundërshtuar nga kryeministri Albin Kurti, por përkundrazi, ishin mbrojtur në Kuvendin e Kosovës.
Kurti kishte braktisur premtimet si kandidat për kryeministër se kur të vinte në pushtet, ai do ta ulte çmimin e energjisë elektrike.
“Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi. Shumë kemi kapacitet”, premtonte Kurti më 26 tetor 2019 në fushatën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, në të cilat zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje doli si subjekti i parë politik pas 15 viteve të opozitarimit. /Demokracia.com/