Nuk ndalen telashet për “KRU “Gjakova”, dënohet me gjobë nga AIP për një tender

Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka dënuar me gjobë “KRU “Gjakova”. Gjoba prej 3 mijë euro u dha pasi kanë kufizuar qasjen në dokumentet për një tender. Sipas AIP, “KRU “Gjakova” nuk ka zbatuar vendimin për t’i ofruar qasje në dokumente një kompanie lidhur me tenderin “Furnizim me dy kamioneta për nevojat e mirëmbajtjes”.

Në vendimin e sotëm (21.03.2025), thuhet se KRU “Gjakova” shumën prej €3,000.00 (tremijë eurosh) duhet ta paguajë në afat prej 30 ditësh.

“Shqiptohet gjobë ndaj KRU “Gjakova” për moszbatimin e vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi Nr. A-1132/2024 të datës 29.01.2025, në shumën prej €3,000.00 (tremijë eurosh) për refuzim ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike. Obligohet KRU “Gjakova” që shumën prej €3,000.00 (tremijë eurosh) ta paguajë në afat prej 30 ditësh në xhirollogarinë e autoritetit kompetent për shqiptimin e gjobës nr. 1000400070005127/ Banka Qendrore e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se gjoba është marrë pas refuzimit për të ofruar qasje në në dokumente publike dhe informacione lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me dy kamioneta për nevojat e mirëmbajtjes”.

“Institucioni publik, megjithëse paralajmërimin e AIP-së qe kishte vetëm shtatë ditë afat për ta jetësuar në terësi kërkesën e palës ankuese, duke i ofruar qasje ne dokumentet dhe informacionet e kërkuara, nuk e ka përfillur Njoftimin për Shqiptimin e Gjobës Administrative të AIP-së. Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke vënë re qasjen mospërfillëse te këtij institucioni publik për të jetësuar në tërësi te drejtën e palës ankuese për qasje ne dokumente publike, është detyruar te vazhdoj me hapin e radhës të shqyrtimit të kësaj ankese, duke nxjerre vendimin Nr. Gj-1132/2024, përmes të cilit i shqiptohet gjobe institucionit publik në fjalë”, shkruhet në vendimin e marrë nga AIP

Kujtojmë se, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke ia caktuar një muaj baraburgim Hasan Krasniqit, kryeshef i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Krasniqi gjendet në ndalim nga 18 marsi 2025, ndërsa sot është mbajtur seanca dëgjimore dhe pritet caktimi i masës së sigurisë.

Në kërkesën e Prokurorisë, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KRU “Gjakova”, me dashje dhe dijeni kishte vepruar në kundërshtim me autorizimet ligjore të parapara për këtë pozitë dhe rregullat e zbatueshme të prokurimit publik, në atë mënyrë që lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me barkë” kishte ndërmarrë veprimet e kundërligjshme.