“Nuk kemi folur për koalicione – jemi të gatshëm të flasim për Presidentin”, thotë Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka fituar besimin e delegatëve për të vazhduar në drejtimin e partisë.

Pas mbylljes së punimeve të Kuvendit të Punës së partisë, Abdixhiku foli për mediat.

Ai tregoi se në këtë kuvend janë miratuar dy deklarata, njëra për situatën politike në vend, e tjera për situatën e LDK-së.

“Janë deklarata që kërkojnë maturitet politik. LDK-ja shpreh gatishmëri që ta ofrojë veten për të dhënë mendime me këdo që është pjesë e skenës politike në Kosovë. Nuk kemi folur specifikisht as për koalicione, as për pozicione specifike, por kemi dhënë vlera orientuese të një partie”, u shpreh Abdixhiku, teksa shtoi se kjo deklaratë do të publikohet më vonë.

Tutje, ai dha sqarime mbi diskutimet.

“Kemi diskutuar se na duhet komunikim politik brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk flasim për pazare politike. Por që partitë duhet të ulen që t’i bëjnë numrat për një president të ardhshëm të Kosovës. Prandaj, jam i gatshëm të flas me gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje çështjes shumë të rëndësishme të presidentit, i cili do të jetë konsensual dhe do të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës”, u shpreh ai.