Me përjashtim të rifillimit të punës së nënkomisioneve të MSA-së dhe asistencës teknike nga plani i investimeve, asnjë mase tjetër ndaj Kosovës nuk është hequr. Burimet nga shtetet anëtare thonë se “nuk presin ndonjë heqje domethënëse të masave” dhe se “Komisioni Evropian nuk po i informon lidhur me hapat që po ndërmerr në këtë drejtim”.
Përkundër njoftimit që ka dhënë gjatë vizitës në Kosovë, Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politike të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, se “BE-ja ka nisur heqjen e masave”, nuk ka konfirmime se cilat masa janë hequr dhe kush e ka miratuar një vendim të tillë. Madje disa diplomatë të vendeve anëtare të BE-së me të cilët ka kontaktuar KOHA janë shprehur skeptikë rreth mundësive që të ketë heqje të mirëfilltë të masave. Krejt kjo u duket më shumë si një veprim simbolik sesa shprehje e gatishmërisë për heqjen e masave.
Një zyrtarë i BE-së vetëm është shprehur se “në vazhdimësi të diskutimeve nga Këshilli i punëve të jashtme të prillit, EEAS dhe Komisioni Evropian kanë vendosur të nisin heqjen graduale të masave”.
Pastaj i njëjti burim ka thënë se “kjo përfshin rifillimin e disa nënkomiteteve nga MSA-ja dhe dhënia e asistencës teknike në kuadër të Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor”.
Pra nga ky burim mësohet se nuk ka asnjë heqje të masave konkrete, që kanë të bëjnë me fondet e BE-së të cilat i janë bllokuar Kosovës.
Edhe për këtë vendim thuhet se “vjen pas zhvillimit paqësor të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës më herët gjatë vitit”.
“Siç është shprehur Përfaqësuesja e lartë ky proces është gradual dhe i kushtëzuar me progresin drejt de-eskalimit”. Më tej përsëritet se në komunikatën nga dhjetori, Këshilli u shpreh se BE-ja është e gatshme të nisë “heqjen graduale të masave, paralelisht me hapat për deeskalim në veri të Kosovës”. Dhe se “EEAS dhe Komisioni po e bëjnë këtë dhe po i mbajnë të informuara vendet anëtare”.
Me përjashtim të rifillimit të punës së nënkomisioneve të MSA-së dhe asistencës teknike nga plani i investimeve, asnjë mase tjetër ndaj Kosovës nuk është hequr. Burimet nga shtetet anëtare thonë se “nuk presin ndonjë heqje domethënëse të masave” dhe se “Komisioni Evropian nuk po i informon lidhur me hapat që po ndërmerr në këtë drejtim”.
Ndonëse të gjitha vendet publikisht shprehen se mbështesin “heqjen graduale të masave” burimet diplomatike përmendin sidomos Francën dhe Italinë, por edhe Hungarinë dhe Sllovakinë, si vende të cilat nuk janë të interesuara për një gjë të tillë. Këto burime thonë se edhe Komisioni Evropian “është duke luajtur me lojën e fjalëve” duke e “lëvizur portën” kur është fjala për masat.
Franca, Italia dhe Komisioni Evropian, sipas burimeve diplomatike të KOHËS, “fokusin e vënë në fjalinë nga deklarata se heqja e masave është graduale dhe paralele me masat që duhet të ndërmarrin autoritetet e Kosovës”. Pasi vendet e QUINT-it dhe BE-ja, kohëve të fundit i kanë kritikuar veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri si veprime që mund të “krijojnë tensione”, një gjë e tillë po shfrytëzohet edhe për të mos hequr masat.
Asnjëherë nga Komisioni Evropian nuk pa pasur transparencë rreth këtyre masave. Ato nuk janë publikuar asnjëherë në ndonjë dokument zyrtar të BE-së dhe nuk është e qartë as baza ligjore për to. Më shumë ka qenë një veprim politik.
Këto masa BE-ja i kishte vendosur me një shpejtësi të paparë deri atëherë, me procedura jashtëzakonisht të shpejta, dhe vazhdojnë të mbeten unike ndaj një vendi të rajonit të Ballkanit Perëndimor për gati dy vjet.
Masat me kujdes ishin dizajnuar në atë mënyrë që do të mund të vendoseshin nga Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesi i lartë, pa pasur nevojë që për to të vendoset formalisht në Këshillin e BE-së, ku do të duhej në favor të votojnë të gjitha vendet anëtare. Këto masa u ishin sqaruar edhe deputetëve të Parlamentit Evropian.
Vendet anëtare të BE-së me 3 qershor të vitit 2023 ishin pajtuar që Përfaqësuesi i lartë Borrell të lëshojë një komunikatë në emër të 27 vendeve anëtare rreth eskalimit të situatës në veri të Kosovës. Në atë deklaratë, mes tjerash, thuhej se BE-ja “është e gatshme të implementojë masa të rrepta“ duke paralajmëruar se do të ketë pasoja negative në rast të dështimit.
“Ne ftojmë të dyja, Kosovën dhe Serbinë që menjëherë dhe pa kushte të ndërmarrin masa për të de-eskaluar situatën, të ndalin retorikën përçarëse dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi tjetër të pa koordinuar. Qetësia duhet të kthehet urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të implementojë masa të rrepta. Dështimi për të de-eskaluar tensionet do të çojë deri tek pasojat negative”, thuhej në këtë komunikatë.
Pra, sipas saj, mbështetje paraprake për masa ishte dhënë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në rast se konsiderohet se njëra prej tyre nuk ka bërë sa duhet për të ulur tensionet. Por në rastin e Kosovës u vendosen masa pa pasur nevojë për mbështetje tjetër të vendeve anëtare. E kur u kërkuan masa ndaj Serbisë u tha se “kjo varet nga vendet anëtare”. Tash “mungesa e unitetit nga vendet anëtare” përmendet si shkas për të mos hequr masat.
Edhe pse asnjëherë nuk është botuar një listë e plotë me masat ndaj Kosovës u kuptua se ato përfshinin suspendimin e takimeve të komisioneve të përbashkëta, suspendimin e programeve të IPA-s dhe pezullohen edhe hapat për shqyrtimin e projekteve që ka dorëzuar Kosova për financim nga Korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor.
Tash burimet në BE druajnë se heqja e masave do të lidhet edhe me formimin e institucioneve të Kosovës, megjithëse një gjë e tillë nuk ka lidhje direkte.