Nuk e kishte regjistruar veturën qe 6 vjet, rekomandohet suspendimi i një polici

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor në Suharekë, pasi u kap duke vozitur veturën personale pa regjistrim që nga viti 2019.

Sipas njoftimit të IPK-së, hetuesit kanë vepruar pas marrjes së informacioneve operative që ngritnin dyshime se polici në fjalë po përdorte automjet të paregjistruar. Pas verifikimit të informatave, sot zyrtari është ndaluar nga hetuesit e IPK-së dhe gjatë kontrollit të dokumentacionit është konstatuar se vetura nuk kishte regjistrim që prej gjashtë vjetësh.

Në rast janë përfshirë edhe njësitet e Trafikut Rajonal në Prizren, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.

IPK-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar në forcimin e integritetit të Policisë së Kosovës dhe ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin në adresimin e rasteve të tilla.

Më herët gjatë ditës së sotme, IPK-ja rekomandoi edhe suspendimin e katër policëve të tjerë në Suharekë. Por nuk dihet nëse rastet lidhen me njëri-tjetrin.