- “Asgjë tjetër, pos marketing politik”.
Çka publikisht dihet është se nga “28 çnjohjet” që Serbia i pretendon dhe propagandon trumbetueshëm anekënd botës t’i ketë arritur t’ia shkaktojë Kosovës, vetëm një notë verbale e tillë kishte ardhur në Prishtinë: nga Surinami. Ivica Daçiq, ish-kryediplomat serb, në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përballë ish-kryediplomates, Donika Gërvalla, thoshte se “me përgjegjësi të plotë, qartë dhe precizisht” Serbia ka arritur t’i heq “28 njohje” shtetit të pavarur të Kosovës. “Prandaj, ju s’keni shumicë (për anëtarësim) në OKB”, shprehej Daçiq. Në të njëjtin kohë Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë, pretendonte se i kishte arritur “nëntë çnjohje” dhe se po e prisnin “të dhjetën”. Sipas tij, ato ishin “Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini [ish-Svazilandi], Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet”. Një pretendim i tillë s’është konfirmuar kurrë dhe është besuar që qëllimin ta kishte publikun e brendshëm të Serbisë, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e kishte demantuar “në tërësi”, dhe shtuar se nuk kanë pranuar kurrëçfarë njoftimi të ngjashëm nga këto shtete; si dhe siguronin qytetarët e Kosovës që asgjë e tillë s’ishte rasti.
…
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje në një intervistë në një emision të Shkëlzen Gashit, tha se arritja e saj më e madhe si drejtuese e politikës së jashtme të vendit si Presidente, për çka synon edhe një mandat, është se ka arritur t’i kthejë në vend 20 vende të cilat kishin–ose ishin duke e–çnjohur shtetin e Kosovës. Emra nuk tha, as kush, as kur, as si. Por, tha se vetëm nga njëra “nuk kemi pranuar përgjigje ende”. Intervistuesi nuk kërkoi zgjerim e as zbërthim të këtij “suksesi të madh” të Osmanit qoftë edhe me ndonjë nënpyetje të vetme përcjellëse. Gazeta Nacionale i drejtua me pyetje Presidencës së Kosovës për të marrë një verifikim të çfarëdoshëm zyrtar se për cilat vende është fjala, me çfarë kontekste, dhe për të parë provë të punës “më të suksesshme” të Osmanit.
Nacionale: “Ju lutemi për mundësinë të na vini në dispozicion çdo verifikim zyrtar, konfirmim diplomatik, notë verbale apo formë tjetër prove që mbështet këtë deklaratë (të Vjosa Osmanit)”.
Por, deri në publikimin e këtij shkrimi Presidenca e Kosovës nuk na ka dhënë kurrëfarë përgjigje, verifikimi apo dëshmie për pretendimet e Vjosa Osmanit.
…
Filozofi Afrim Kasolli megjithatë e sheh veçse si vetëreklamë politike të Osmanit për ta ndërtuar tregimin e saj për një mandat tjetër presidencial të cilën ajo e synon dhe ka nisur të kërkojë votë për të. “Elektoral”, thotë Kasolli për Nacionale, “për aq kohë sa për deklarime të tilla nuk ofrohen dëshmi konkrete”.
“Asgjë tjetër, pos pjesë e marketingut politik të presidentes Vjosa Osmani, në funksion të përpjekjeve të saj për ta siguruar edhe një mandat presidencial. Është e vërtetë se Serbia kudo që të mundet ka interes ta minojë peshën ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Këtu nuk bënë te harrohet as fushata agresive e çnjohjeve që e kishte ndërmarr para një kohe në shumë shtete të ‘botës së tretë’”, tha ai.
“Ajo që dihet botërisht dhe është e dokumentuar ky proces i degradimit ndërkombëtar të Kosovës u ndal me anë të Marrëveshjes se Uashingtonit të dakorduar në shtator të vitit 2020, ndërmjet ish-kryeministrit Abdullah Hoti dhe presidentit , Aleksandër Vuciq, në praninë e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump (…)
(…) ku Serbia u pajtua ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahej nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur”, marrëveshje kjo që ishte atakuar nga vetë Vjosa Osmani atëbotë. Në këtë kontekst, çdo deklarim tjetër jashtë asaj që është e verifikuar nuk është asgjë tjetër, pos pjesë e skenarit “elektoral” edhe për një mandat presidencial”, tha Kasolli.
Edhe ish-diplomati Avni Arifi, nuk e bleu aspak tregimin e Osmanit. Pa ofrim të një dëshmie, sipas Arifit, ky tregim është veçse “rrenë e kulluar” dhe tha se “këtu nuk ka asgjë konfidenciale që nuk mund të publikohet”.
“Këtu s’ka kurgjë konfidenciale që nuk mund të publikohet. . Le t’i publikojë Presidentja notat apo njoftimet apo cfarëdo prove, përndryshe, kjo është rrenë e kulluar. Por nuk ka faj ky pushtet rrenën po e shet pa Nutella dhe fort po i shitet. Po jetojmě në kohë të marrëzisë”, tha ai.










