Gazetarja nga Shqipëria, Denada Jushi ka ndarë sot një rrëfim të veçantë nga Haga, duke sjellë në vëmendje anën njerëzore të procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Përtej seancave formale dhe debatit juridik, ajo ndalet te ajo që publiku rrallë e sheh, qëndrueshmërinë e familjarëve, pritjen e tyre dhe peshën emocionale të pesë viteve.
Jushi tregon se prej kohësh, në çdo seancë në Hagë, ka takuar Nazmi Thaçin, vëllain e ish-presidentit Hashim Thaçi. Ai qëndron gjithmonë në sallë, me kufje në vesh, duke ndjekur me vëmendje çdo dëshmi, pyetje dhe kundërpyetje. Sipas saj, ngjashmëria mes tij dhe vëllait është e padiskutueshme, saqë prezantimi shpesh bëhet i panevojshëm.
Gazetarja tregon se këtë herë, Nazmiu ishte i shoqëruar nga i biri , një tjetër dëshmi e faktit se familja vazhdon ta përballojë së bashku këtë proces të gjatë, që tashmë ka kaluar pesë vite.
“Kanë parë shumë, kanë humbur shumë, por jo shpresën”, shkruan Jushi, duke kujtuar se gjatë kësaj periudhe familja Thaçi ka përjetuar edhe ditën më të dhimbshme: momentin kur ata humbën babanë e tyre, pa praninë e Hashim Thaçit. E ndërsa koha nuk u kthehet, shpresa për drejtësi mbetet e gjallë.
Jushi përmend edhe nënën 88-vjeçare të ish-presidentit, e cila, pavarësisht moshës, refuzon të dorëzohet dhe vazhdon të presë birin e saj. “Ajo pret”, shkruan gazetarja, duke e përshkruar qëndresën e saj si të jashtëzakonshme.
Në fund të ditës, Jushi tregon se rastësisht ka takuar Nazmi Thaçin dhe kanë pirë një kafe së bashku. Ajo thotë se gjëja që e ka befasuar më shumë është qetësia dhe paqja që ai përcjell, pavarësisht peshës së viteve të humbura.
“Asnjë fjalë mllefi, asnjë shenjë urrejtjeje. Vetëm falënderime për çdo njeri që ka qenë pjesë e procesit”, shkruan Jushi, duke theksuar se mbajtja e një qëndrimi të tillë human në kohë të vështira është një virtyt i rrallë.
“Është e vështirë të qëndrosh njeri kur kalon nëpër këto momente”. mbyll ajo, “por Nazmi Thaçi ia ka dalë”. /Demokracia.com/











