Njohësi i Kushtetutës, Mentor Beqiri, ka thënë se masat e sigurisë nxirren vetëm kur ekziston frika për dëm të pariparueshëm, por sipas tij, një dëm i tillë nuk mund të shkaktohet nga situata aktuale në Kuvend.
“Unë jam i mendimit që masat e sigurisë duhet të vendosen vetëm në ato momente kur ka frikë se mund të shkaktohet një dëm i pariparueshëm”, ka thënë Beqiri në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Unë nuk mendoj se në këtë rast do të shkaktohej një dëm i pariparueshëm, për shkak se nëse partia, subjekti i parë politik, do të dërgonte një emër dhe Presidentja do të vazhdonte me emërimin e tij si mandatar për kryeministër, edhe nëse do të ishte një veprim jokushtetues, Gjykata Kushtetuese do të mund të konstatonte se ai ka qenë një veprim i tillë, dhe ai emërim do të shpallej i pavlefshëm dhe do të anulohej. Por kjo nuk do të përbënte dëm të pariparueshëm”.
“Masa e sigurisë caktohet vetëm në raste kur ekziston frika për dëm të pariparueshëm”.
“Prandaj, mendoj që një masë e tillë sigurie, në këtë moment, nuk ka qenë e nevojshme”.
Sipas Beqirit, pritja që vendimi të merret në fund të muajit është e panevojshme.
“Por është shumë e nevojshme që të merret një vendim sa më shpejt dhe të mos pritet deri më datën 30 shtator.”