Nobelisti Llosa ishte mbështetës i Kosovës

Shkrimtari peruan me famë botërore, Mario Vargas Llosa, i cili vdiq sot, ishte ndër të paktit intelektualë latino-amerikanë që doli publikisht në mbështetje të intervenimit të NATO-s në Kosovë për të shpëtuar popullin tonë nga fushata e vrasjeve masive dhe spastrimit etnik.

Ky ishte qëndrimi i tij i bërë i njohur aso kohe: “Konflikti aktual i Kosovës filloi dhjetë vjet më parë, kur Millosheviqi, për ta arritur pushtetin absolut në Jugosllavi, shfuqizoi autonominë e Kosovës dhe nxiti fushatën nacionaliste në favor të Serbisë së Madhe, që rezultoi me shkëputjen e Sllovenisë dhe Kroacisë, me masakrat dhe copëzimet pasuese të Bosnjës. Edhe pse jo i vetmi, regjimi i Millosheviqit ka qenë përgjegjësi kryesor për tragjedinë kosovare. Shumë nga ne që e mbështetëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s e bëmë sepse kemi qenë të bindur që objektivi i saj ishte ndalimi i shfarosjes së shqiptaro-kosovarëve përmes likuidimit të regjimit diktatorial të Millosheviqit dhe instalimi i demokracisë në Jugosllavi, që do të thotë, një regjim i ligjshmërisë dhe lirisë që, në kuadrin e marrëveshjeve të Rambujesë, të negocionte me kosovarët një sistem bashkekzistimi apo pavarësie, që do të sillte paqe në rajon.”