Në kuadër të përpjekjeve diplomatike për të rikthyer funksionalitetin e procesit, emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës e Serbisë, Peter Sorensen, qëndroi në mes të muajit mars në Prishtinë e Beograd – në vizitën e tij të parë që nga marrja e detyrës – ku takoi udhëheqësit shtetëror të të dyja vendeve.
Pas takimeve me krerët shtetëror të Kosovës, diplomati danez theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut, por shtoi se dëshiron të dëgjojë qëndrimet e të dyja palëve përpara se të përcaktojë hapat e ardhshëm. Gjithashtu, ai nënvizoi se thelbi i dialogut është kompromisi, por Prishtina dhe Beogradi duhet të vendosin për karakterin e tij.
“Qëllimi është që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara. Unë kam diskutime këtu në Prishtinë, por më duhet të shkoj edhe në Beograd… Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Sa u përket kompromiseve potenciale, kjo u takon palëve ta vendosin”, deklaroi Sorensen gjatë vizitës në Prishtinë, një javë pas së cilës shkoi edhe në Beograd, transmeton albanianpost.
Kosova dhe Serbia kanë arritur një “marrëveshje historike” para dy vitesh, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër. Megjithatë, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar akoma. Dhe palët nuk duket se janë askund afër së zbatuari marrëveshjen.
Që nga shtatori i vitit 2023 nuk janë zhvilluar takime të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, ndërsa çështja kryesore vazhdon të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Beogradi e kërkon atë si “hap të parë” drejt normalizimit, ndërsa Prishtina insiston në zbatimin e neneve tjera të marrëveshjes, ose së paku zbatim të barabartë.
Kosova ka marrë një draft të hartuar nga BE-ja për statutin e këtij asociacioni, por edhe ai duket se është jashtë tryezës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përveç se nënvizoi rëndësinë e zbatimit “të plotë dhe të balancuar” të marrëveshjes, paraqiti para Sorensenit vërejtjet e saj për draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Personalisht, mendoj se ky draft-statut nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe as me standardet e BE-së, apo vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Një draft-statut i tillë nuk mund të hyjë në fuqi dhe është e pamundur që të kalojë testin në Gjykatën Kushtetuese”, potencoi ajo dy ditë pas takimit me Sorensenin.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit theksoi se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është “parakusht” për fillimin e normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, ndërsa shefi i diplomacisë serbe, Marko Gjuriç, konsideroi se “parakusht” për ringjallje të dialogut është “besimi reciprok” në dialog.
“Unë theksova pengesat e vazhdueshme që bën Prishtina në procesin e dialogut dhe ritheksova se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pas 12 viteve të refuzimit të Prishtinës për ta përmbushur obligimin, është parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve”, shkroi Vuçiç pas takimit me Sorensenin.
Për vëzhguesit, duke qenë se është ende e paqartë se kur dhe si do të formohet qeveria e re e Kosovës, dhe për shkak të situatës dramatike në Serbi, ku protestat e studentëve kanë lëkundur për herë të parë pushtetin autoritar të presidentit serb, nuk është realiste të pritet progres i madh në dialog, sidomos gjatë pjesës së parë të vitit 2025.
Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i BE-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.