“Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza”, është një nga frazat e përdorura në të kaluarën nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në kohë zgjedhjesh, që nuk ‘guxon’ më ta premtojë.
Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e parakohshme që po afrohen, njësoj si në zgjedhjet e 9 shkurtit, figurojnë sërish emra që përballen me drejtësinë, raporton Klankosova.tv
Aktakuza më e fundit ndaj zyrtarëve shtetërorë lidhet me skandalin e rezervave shtetërore, ku e pandehur është edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me tre persona të tjerë.
Pavarësisht dyshimeve në fillim, ftesës më pas nga Prokuroria Speciale dhe statusit të saj si e pandehur, Hajdari jo vetëm që s’u shkarkua nga Kurti, por nuk u la jashtë listës zgjedhore të VV-së, për të synuar sërish një ulëse në Kuvend.
Vetëvendosje prin aktualisht me numrin më të madh të kandidatëve me aktakuza aktive.
Pos Hajdarit, edhe figura të tjera të partisë, si Xhelal Sveçla, Fitore Pacolli dhe Salih Zyba, përballen me akuza nga organet e drejtësisë./Klankosova.tv












