Një vit para se Mujka ta kapte pozitën, Rizvanolli dhe Kurti rrihnin ‘gjoks’ për rekrutime fer

Publikimi i mesazheve private mes Faruk Mujkës, Dejona Mihalit dhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që lidhen direkt me emërimin e tij si kryeshef i Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc” në vitin 2022, ka pasqyruar realitetin e proceseve të rekrutimit gjatë qeverisjes Kurti.

Ironia është se vetëm një vit para këtij emërimi të koordinuar deri në detaje, vetë ministrja Rizvanolli, bashkë me shefin e saj, u zotuan publikisht për procese rekrutimi “fer e transparente”, duke ftuar profesionistë e ekspertë që të aplikojnë, sepse sipas saj ndërmarrjet publike do t’i shërbenin vetëm interesit qytetar.

“Ju sigurojmë se do të kërkojmë standarde të larta për procese rekrutimi fer e transparente për pozita brenda ndërmarrjeve publike. Ju bëjmë thirrje të aplikoni edhe në konkurset për pozitat e kryeshefave ekzekutivë. Ndërmarrjet publike janë të Republikës e ne zotohemi që tash e tutje ato do t’i shërbejnë vetëm interesave të qytetarëve”, deklaronte ajo në shtator 2021.

I njëjti narrativ u përforcua edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili fliste për një shkëputje ‘radikale’ nga e kaluara, për proceset e korruptuara të përzgjedhjes.

“Ne kemi nevojë për vëmendjen dhe interesimin e  secilit profesionist të fushës, të cilët prej kohësh kanë pasur dëshirë të kyçen, por vullneti i tyre për të aplikuar është shtypur nga bindjet që kishin për proceset e korruptuara të përzgjedhjes. “

Por, rasti i Faruk Mujkës dëshmon se realiteti ishte krejt tjetër.

Mesazhet e publikuara nga gazetari Lirim Mehmetaj zbulojnë se procesi për emërimin e Mujkës nuk nisi në konkurs, as në intervistë, e as në vlerësim profesional, por në komunikim të drejtpërdrejtë me ministren, transmeton Klankosova.tv

Por, veç kjo s’ndodhi në rastin e Faruk Mujkës.

Në mesazhet e publikuara nga gazetari Lirim Mehmetaj, Rizvanolli dhe Mihali kanë komunikuar me Mujkën që nga fillimi i procesit deri kur u arrit qëllimi, për emërimin e tij.

Mujka: “Përshëndetje Ministreshë. Shpresoj se nesër mund ta realizojmë takimin. Isha sot në organizatë dhe më thanë gjithsesi me u drejtu tek ju. Falemnderit”.

Gjithçka nisi këtu. Takimi u realizua e madje u mor edhe amini i Albin Kurtit.

Një muaj më vonë, Mujka i shkroi ministres: “E nderuara Ministre, përshëndetje. Ju lutem konfirmoni te KM vullnetin tuaj për Ibër – Lepenc sepse ai nuk ishte i informuar dhe donte gjithsesi me ditë se edhe ju pajtoheni me aplikimin tim. Faleminderit shumë”.

Rizvanolli: “Përshendetje Faruk, pa merak”.

Mujka: “Faleminderit shumë. Suksese të pafundme”.

Mujka: “Përshëndetje Ministre. Intervistën ma kan caktu për të Hanën (fillimisht më kan thënë për nesër por e kan shty ndërkohë). Dejona më tha që Kryesuesi po insiston për dikend nga brenda por unë nga burime tejet të sigurta e di që ai pret udhëzime nga ministri Peci. Për këtë arsye e kan kandidu një femër nga Lipjani. Guxo (Fatoni) po tenton me shti komplet ndikimin në Ujësjellës të Mitrovicës dhe Ibër Lepenc. E di se ke tëpër punë por deshta me nda këtë informatë me juve. Me të mira”.

Rizvanolli: “Flm për info z.Faruk. Kjo nga Lipjani për ku ka aplikuar dhe kush është?”

Mujka: “Kaltrina Demiri. Për kryeshef në Ibër – Lepenc. Ka qenë kandidate për asambleiste në listën tonë e propozuar nga Guxo”.

Mujka-Mihalit: “Ai djali, nr.2 në listë e me të cilin qenkam në listën e ngushtë, është definitivisht ai për të cilin më kanë thonë moti se është i preferuari i Gërvallës dhe mbështetet nga Vjosa e cila edhe e ka dërgu Bajramin aty ku është për me shty këtë proces. Këtë informacion e ke me garancë 100%. Ishalla nuk më sakrifikoni për shkak të 1% të Vjosës. Dëshprohem pa masë”.

Mihali: “Nuk kanë thënë askush i nivelit politik diçka për të. Pra këta të subjektit të tyre, jo tonit. Ka gjasa qe vet ky bajrami te jete për e i jep konotacion kështu i atij i ketij. Por për çdo rast ja percolla Artanes”.  guxo personi në fjalë. E konfirmuar”.

Tetë ditë më vonë, më 2 dhjetor, në orën 10 e 56 minuta e 57 sekonda, Faruk Mujkës i shkoi mesazhi nga Artane Rizvanolli: “Urime kryeshef. Suksese!”.

Mujka, që e pati rrugën të hapur, ia ktheu me falënderime e premtime.

“E nderuara Ministre. Të falemnderoj nga zemra për besimin, mbështetjen dhe përkrahjen tuaj në këtë proces. Premtoj se nuk do të ju zhgënjej dhe do të bëj të pamundurën t’i shtyjmë synimet tona në zhvillimin e ndërmarrjes dhe mënyrës së Qeverisjes e cila pritet nga ne”.

Skandali në Ibër-Lepenc, prokurorisë i kërkohet hetim ndaj Dejona Mihalit