Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e rrëshqitjes së dheut dje në Veternik të Prishtinës.
Viktima është mashkull rreth 40 vjeç.
Kjo është konfirmuar nga Policia, ku është shtuar se personi tjetër ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK.
‘‘Sot rreth orës 13:00, është pranuar informacioni se dy persona janë zënë nga shembja e dheut në një vendpunishte në rrugën “Gjilani” në lagjen Veterniku në Prishtinë. Nga informacionet e para është bërë e ditur se njëri nga ta është nxjerrë nga aty dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK, ndërkaq fatkeqësisht, tjetri, mashkull, rreth 40 vjeç, është konstatuar pa shenja jete, nga ana e mjekëve emergjent. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe mekanizmat e tjerë të nevojshëm po vijon punën për sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen’’, ka thënë Policia.
Punëtori që vdiq është Fatlum Haradini.
Lajmi është konfirmuar nga familjarët, të cilët kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e më të dashurit të tyre.
“Me pikëllim të madh, ju njoftojmë se sot, pas një aksidenti në punë, ka ndërruar jetë më i dashuri ynë, Fatlum Xh. Haradini,” thuhet në njoftimin e familjes.
Detajet lidhur me ditën dhe orën e varrimit do të bëhen të ditura në vijim.