Një tjetër bllokadë në horizont? Aktgjykimi për nënkryetarin serb mund të vonojë konstituimin e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese po shqyrton nëse Lista Serbe, si partia që ka fituar sërish shumicën e votave të serbëve, duhet të përfaqësohet në Kuvend me një nënkryetar, apo nëse në këtë pozitë mund të zgjidhet edhe Nenad Rashiq. Kjo mund të sjellë një ngërç të ri, “të papritur”, qysh në hapin e parë të formimit të institucioneve pas certifikimit të zgjedhjeve, kur duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi.

 

Mund të duket se Kosova po ecën drejt një rrugdaljeje nga ngërçi politik pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit dhe procesit të numërimit të votave që po shkon drejt fundit pa shumë ankesa. Por konstituimi i Kuvendit, si hapi i parë për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, mund të mos jetë lehtësisht i kalueshëm për partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Nëse këtë herë çështja nuk do të ngecë te zgjedhja e kryeparlamentarit, ngërçi mund të zhvendoset te zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, në rast se Gjykata Kushtetuese do të vendosë se kjo pozitë i takon partisë ose koalicionit që ka fituar shumicën e votave të serbëve. Kjo do të thoshte se Lista Serbe do të duhej të përfaqësohej në Kuvend me një nënkryetar.

LVV-ja mund të synojë që, si më 10 tetor 2025, ta shtyjë Nenad Rashiqin drejt karriges së nënkryetarit të Kuvendit.

Por Gjykata Kushtetuese tani po e shqyrton atë episod, në kuadër të një ankese që Lista Serbe e kishte dërguar atje kundër zgjedhjes së Rashiqit, me pretendimin se kjo ishte bërë me shkelje kushtetuese dhe të rregulloreve të Kuvendit.

“Kjo kërkesë aktualisht është duke u shqyrtuar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, tha Gjykata Kushtetuese një përgjigje për Gazetën Express.

Këtë e vuri në dukje edhe Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, i cili tha së fundmi në një intervistë për Gazetën Express se është herët të flitet për zhbllokimin e situatës politike në Kosovë.

“Më duket shumë herët të flas për zhbllokimin e situatës politike. Së pari, ende po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e vitit të kaluar, padyshim të paligjshme, të një nënkryetari serb të Kuvendit të Kosovës, duke anashkaluar shumicën e deputetëve serbë/Listën Serbe. Së dyti, VV-ja ende duhet të sigurojë të paktën mbështetjen e heshtur të njërës prej partive opozitare për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës në mars, me shumë mundësi nga LDK-ja, partia opozitare me përçarjet më të thella të brendshme, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja përballen gjithashtu me gara për lidership”, ka thënë ai.

Nga partia e Kurtit kishin thënë se nuk e votojnë asnjë kandidat të propozuar nga Lista Serbe për nënkryetar të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese është “afër fundit të një vendimi sa i përket ankesës që e ka paraqitur Lista Serbe”, tha sot Nenad Rashiq, i cili shtoi se do ta presë vendimin dhe nëse i lejohet, është “i gatshëm” të zgjidhet sërish nënkryetar i Kuvendit.

Rashiqi, i cili do të jetë i vetmi deputet serb që nuk vjen nga Lista Serbe, por nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ishte votuar për nënkryetar të Kuvendit pasi asnjëri prej kandidatëve të propozuar nga Lista Serbe nuk kishte arritur t’i siguronte votat e nevojshme.

Më 11 tetor, një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit dhe pasi Kuvendi ishte shpallur i konstituuar nga kryeparlamentari Dimal Basha, presidentja Vjosa Osmani e kishte mandatuar Albin Kurtin për kryeministër, por ai, sikurse edhe Glauk Konjufca më pas, kishin dështuar ta siguronin shumicën e nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e qeverisë së re.

Osmani e kishte shpërndarë Kuvendin më pas dhe i kishte shpallur zgjedhjet e reja parlamentare, që u mbajtën në fund të vitit.

Kuvendi “nuk ishte i konstituuar ligjërisht”, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, por “ishte shpallur i tillë në mënyrë arbitrare”. Siç pati deklaruar ai në një intervistë për Gazetën Express më 5 nëntor 2025, presidentja dhe kryeparlamentari i direktuar nga LVV, e kishin shkelur Kushtetutën “me interpretimet më abuzive të mundshme”.

Rashiq: Jam i gatshëm të jem nënkryetar i Kuvendit