Një shtetas turk 22-vjeçar është vrarë me thikë gjatë natës së Vitit të Ri para një objekti gastronomik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. I dyshuari është në arrati dhe po kërkohet. Përveç shtetasit turk të vrarë, në incident është plagosur rëndë edhe një person tjetër.
Një shtetas turk 22-vjeçar është vrarë me thikë gjatë natës së Vitit të Ri para një objekti gastronomik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. I dyshuari është në arrati dhe po kërkohet. Përveç shtetasit turk të vrarë, në incident është plagosur rëndë edhe një person tjetër.
“Më 01.01.2026, në orën 01:11, në SPB-Shkup është raportuar se përpara një objekti të gastronomisë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ishte shkelur rendi dhe qetësia publike me një përleshje fizike, ku dy persona pësuan lëndime nga një mjet i mprehtë. Policët shkuan menjëherë në vendngjarje dhe u gjetën të lënduar nga mjeti i mprehtë A.M.D. (22) nga Turqia, tek i cili në orën 01:30 mjeku i Ndihmës së Shpejtë konstatoi vdekjen, dhe Ç.E. (23) nga Turqia, i cili u transportua në Kompleksin Klinik “Nëna Terezë” për ndihmë mjekësore. Është njoftuar prokurori publik dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e detajuar të policisë maqedonase.
Për natën e Vitit të Ri në Shkup nga fishekzjarrët janë plagosur 7 persona, ndërsa një person është plagosur vetë me armë gjuetie në Manastir. Ministri maqedonas i rendit Toshkoski tha se në vend ka pasur 31 vepra penale, 23 aksidente rrugore, nga të cilat 2 me lëndime të rënda trupore. Janë arrestuar 49 persona për arsye të ndryshme, kryesisht për tregti ilegale droge dhe për shkelje të rendit dhe qetësisë publike. Ministri vlerësoi se nata e Vitit të Ri në Maqedoni kaloi kryesisht pa incidente, përveç dy incidenteve serioze, me shtetasin turk dhe me fëmijën dyvjeçar. (Tv21)










