Dy shtetas të Bjellorusisë dhe një shtetas i Rusisë janë arrestuar dje afër Pejës nën dyshimin se kanë hyrë në mënyrë të paautorizuar në Kosovë, njoftoi sot Policia e Kosovës, transmeton Paparaci.
Sipas njoftimit, dje rreth orës 13:30, policia ka ndaluar një automjet me targa shqiptare në rrugën Pejë – Prishtinë.
Automjeti drejtohej nga një shtetas i Shqipërisë, i cili në veturë ishte së bashku me edhe tre pasagjerë.
Gjatë verifikimit të dokumenteve është konstatuar se bëhet fjalë për shtetas të Bjellorusisë dhe Rusisë.
“Në automjet ndodheshin edhe tre të dyshuar meshkuj, dy shtetas të Bjellorusisë dhe një shtetas i Rusisë, të cilët kishin kaluar ilegalisht kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të gjithë janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë.
Është hapur rasti “kalim i paautorizuar i kufirit”./Paparaci.com










