Komiteti i Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, në mbledhjen e udhëhequr nga drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, kanë vlerësuar situatën e përballjes me pandeminë, pasi janë konfirmuar edhe 18 raste të reja dhe një pacient ka ndërruar jetë.
“Në ditën e 13-të, bashkë me ekipin komunal, konstatuam gjendjen pas 18 rasteve të reja dhe një person fatkeqësisht që ka ndërruar jetë, ku i shprehim ngushëllimet me te sinqerta familjes. Pra, 512 raste i kemi gjithsej të rezultuar me COVID-19, 334 të shëruar, raste aktive janë161 dhe 17 të vdekur”, ka thënë Xhemaili, thuhet në njoftimin për media.
Ai ka konfirmuar se në Spitalin e Përgjithshëm janë duke u hospitalizuar 41 pacientë, ndërkaq që 40 mostra janë në pritje të rezultateve, përderisa të negativizuar janë dhjetë raste.
Ai njoftoi se nga e hëna do të hapen çerdhet private, por të cilat duhet të operojnë sipas masave anti-COVID, ndërkaq çerdhet publike janë në proces të regjistrimit të fëmijëve dhe do të fillojnë punën në fund të gushtit.
“Apelojmë tek të prekurit, tek të gjithë qytetarët, bizneset dhe gastronominë, që t’i respektojnë masat e Shtabit komunal, IKSHP’së e MSH’së, në mënyrë që t’i ikim masave shtrënguese”, ka thënë Xhemaili.