Me ftesë të Komitetit Olimpik të Kosovës, njëri prej personaliteteve të larta sportive në Evropë dhe Turqi, Hasan Arat vizitoi Kosovën, me ç’rast u prit nga drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, nënpresidenti Milaim Kelmendi, ministri në detyrë për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Arat është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Evropës, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakow 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj. Së fundi, ai për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash. Gjatë pritjes në KOK, ku takoi edhe stafin, ai përgëzoi presidentin Krasniqi për arritjen e sportit tonë në lëvizjen olimpike në botë në këto 10 vjet, duke thënë se çdo sukses i ynë, nisur nga anëtarësimi në IOC dhe medaljet olimpike e ato në Lojërat Evropiane, e bëjnë të ndihet krenar, për shkak të kontributit që ka dhënë për anëtarësimin e KOK-ut në IOC, por edhe për shkak të prejardhjes shqiptare që kanë prindërit e tij”, thuhet në njoftimi e KOK-ut.
Sipas këtij njoftimi, Arat, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë dhe një ndër personat më të rëndësishëm në KO të Turqisë, është lobues i madh i marrjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, vlerësoi lart marrjen e organizimit të kësaj ngjarje, duke thënë se kjo është një derë e hapur që në të ardhmen Kosova mund të organizojë edhe gara tjera ndërkombëtare si Lojërave Evropiane apo EYOF.
Presidenti Krasniqi falënderoi biznesmenin Arat për gjithë kontributin e dhënë për sportin e Kosovës, duke thënë se njerëz si ai janë miq të mëdhenj të Kosovës, tek i cili dyert gjithmonë kanë qenë të hapura, qoftë edhe për marrjen e organizimit të LM Prishtina 2030.
“Në takimin në Ministri, ministri Çeku falënderoi Aratin për kontributin e dhënë për sportin tonë, duke u fokusuar edhe tek Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, për të cilat ministri premtoi se në bashkëpunimin me KOK-un dhe palët tjera të interesit do të jenë shembull i organizimit”, theksohet tutje në njoftimin e KOK-ut.
I shoqëruar nga drejtuesit e KOK-ut, sipas këtij njoftimi, Arat takoi edhe kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me të cilin diskutuan po ashtu për LM Prishtina 2030, si dhe projekte tjera në zhvillimin e sportit në kryeqytet.
The post Një prej personaliteteve të larta sportive në Evropë vizitoi Kosovën appeared first on Kosovapost.net.