Liverpool ka dështuar sërish të fitojë në Premier League, duke barazuar 3-3 në transfertën e vështirë ndaj Leeds, ndeshje e vlefshme për javën e 15-të në Premier League. Në pjesën e parë mungoi goli, të kuqtë e nisën vrullshëm pjesën e dytë, duke shënuar dy gola për dy minuta, nga blerja e bujshme e verës, Hugo Ekitike, 95 milionë euro.
Në minutën e 48-të, Ekitike gjeti rrjetën duke përfituar nga një top i humbur nga lojtarët e Leeds. Në minutën e 50-të, sërish pas një topi të humbur nga mbrojtja e Leeds, Conor Bradley kroson në zonë, Ekitike dërgon topin për herë të dytë në rrjetë.
Kur u duk se Liverpool po shkonte drejt fitores së sigurt, erdhi edhe reagimi i vendasve, të cilët po ashtu shënuan dy gola ëpr dy minuta, duke barazuar shifrat 2-2.
Në minutën e 70-të, Wilfried Gnonto pengohet në zonë nga Ibrahima Konate, arbitri jep penallti. Dominic Calvert-Leëin tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Dy minuta më pas, me një aksion të bukur, Leeds barazon shifrat 2-2 me golin e Anton Stach.
Megjithatë, të kuqtë nuk u demorlizuan dhe gjetën sërish avantazhin, këtë herë me Dominik Szoboszlai. Mesfushori hungarez shënoi pas një aksioni të bukur dhe asistit perfekt të Ryan Gravenberch.
Në minutat shtesë, japonezi i harruar në zonë nga të kuqtë, Ao Tanaka, barazon shifrat 3-3, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit. Pas këtij barazimi, Liverpool mbetet në vendin e 8-të me 23 pikë, Leeds në vendin e 16-të me 15 pikë.
The post Një pjesë e dytë e çmendur, Liverpool-it i ikën fitorja nga duart në frymën e fundit (video) appeared first on Telesport.











