Një nga fustanet e martesës së Lauren Sanchez dyshohet se është vjedhur pas dasmës me Jeff Bezos

Pas një dasme madhështore tre-ditore në Venecia, Lauren Sanchez, e fejuara e themeluesit të Amazon-it Jeff Bezos, është përballur me një incident të pazakontë: një nga fustanet e saj të martesës është zhdukur dhe dyshohet se është vjedhur.

Sipas raportimeve të gazetës italiane Corriere della Sera, një prej fustaneve që ajo kishte përzgjedhur për ceremoninë është zhdukur pa lënë gjurmë.

Lauren, 55 vjeçe, kishte në dispozicion plot 27 fustane për ditën e saj të madhe, dhe ende nuk është konfirmuar se cilit dizajner i përkiste fustani i humbur.

Foto: Instagram

Dyshimet bien mbi një grua të panjohur, e cila sipas dëshmive ka arritur të hyjë në ambientet e dasmës duke shmangur rojet e sigurisë.

Gruaja ishte e veshur me elegancë dhe nuk kishte ftesë për të marrë pjesë. Ajo është shoqëruar jashtë me mirësjellje, por pa u identifikuar, dhe besohet se mund të ketë marrë fustanin që tani konsiderohet i humbur.

Foto: Instagram

Ky incident nuk ishte i vetmi që shënoi ditën e madhe të çiftit. Gjatë ceremonisë, një tjetër fustan i Lauren – një krijim i Dolce & Gabbana – raportohet se ka marrë flakë. Për fat të mirë, nuk bëhet fjalë për fustanin që ajo kishte veshur gjatë shkëmbimit të betimeve me Jeff Bezos.

Në ditën e dasmës, ajo u shfaq me një fustan të bardhë të mrekullueshëm nga Dolce & Gabbana. E njëjta publikoi një foto në Instagram menjëherë pas ceremonisë, ku ndodhej pranë Bezos, duke shfaqur fustanin në të gjithë shkëlqimin e tij.

Foto: Instagram

Përveç dasmës, zeshkania kishte realizuar edhe një set fotografik për revistën Vogue, ku kishte pozuar me të njëjtin fustan dhe kishte treguar për emocionet që përjetoi gjatë provës në Milano, duke thënë se ishte ndjerë si një “princeshë”.

Për momentin, përfaqësuesit e Sanchez nuk kanë dhënë asnjë koment zyrtar lidhur me raportimet për vjedhjen apo incidentin me fustanin e djegur.

Lauren dhe Jeff

Ndërkohë, ceremonia luksoze në ishullin San Giorgio Maggiore u ndoq nga një listë të ftuarish të nivelit të lartë, që përfshinte emra të njohur të botës së artit, biznesit dhe argëtimit.