Një muaj pas vrasjes së Enver Bajraktarit, Policia bastis shtëpinë e Top Kolshit – gjen një pushkë gjysmëautomatike

Një muaj pas vrasjes së Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpinë e Top Kolshit, i cili dyshohet për vrasjen dhe groposjen e tij, shkruan Reporteri.net.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se bastisja është kryer me urdhëresë të Gjykatës, ku në shtëpinë e të njëjtit është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmëautomatike.

VRASJE E RËNDË /ARMËMBAJTJE PA LEJE – Lipjan / 03.08.2025 – 12:05. Pas hetimeve te vazhdueshme lidhur me rastin, më 03.09.2025 bazuar në urdhëresën e gjykatës është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmë automatike”, thuhet në raport.

Ndaj Kolshit, Gjykata ka caktuar paraburgimin më 13 gusht.

Në njoftimin e Gjykatës për paraburgim thuhet se Kolshi nuk e ka kryer vrasjen i vetëm, por se në rast kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë, ende të paidentifikuar.

Aty përshkruhet kronologjia se si është kryer vrasja në mënyrë dinake dhe mizore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.K. mes datës 03.08.2025 ora 16:00 dhe datës 04.08.2025 rreth orës 12:10, në fshatin Baicë, Komuna e Lipjanit, për shkak te mosmarrëveshjeve paraprake mes vete, me dashje e në bashkëkryerje edhe me persona ende të paidentifikuar deri më tani, në mënyrë dinake dhe mizore privojnë nga jeta tani të ndjerin E.B., në atë mënyrë që i ndjeri E. me datën 03.8.2025 rreth orës 16:00 kishte dal nga shtëpia duke e dërguar gjedhen e tij për kullos në livadhet e fshatit dhe aty i njëjti fillimisht goditet me mjete të forta në kokë dhe trup, më pas ngulfatet dhe trupi i tij tërhiqet zvarrë për disa metra duke kaluar përmes një arre të mbjellë me misër dhe aty fillimisht hiqen disa rrënje misri, gërmohet një gropë me thellësi mbi 1m, më pas brenda saj vendoset trupi i pajetë i të ndjerit, e sipër të cilit vendosen dërrasa dhe më pas gropa mbulohet me dhe, kurse aty rivendosen rrënjët e misrit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Caktimin e paraburgimit, Gjykata e ka arsyetuar me rrethanat që nëse i njëjti ndodhet  në liri, ka rrezik që të arratiset apo t’i shmanget thirrjeve nga Gjykata apo Prokuroria.

“Gjykata vlerësoj se po ashtu ekziston rreziku se i pandehuri mund të fsheh, ndryshojë apo t’i falsifikojë provat duke ndikuar në bashkë të dyshuarit e mundshëm, meqenëse deri më tani dyshohet se vepra penale është kryer në bashkëkryerje dhe ende nuk janë siguruara informata të mjaftueshme për bashkëkryesit potencial, ashtu që mund të ndikojë edhe tek dëshmitarët e rastit”, thuhet në njoftim.

I dyshuari thuhet se ka të kaluar kriminale, dhe se në njërin rast besohet që viktimë ka qenë i ndjeri.

“Gjykata gjithashtu konstatoj se duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, e po ashtu faktin se pas kryerjes së veprës penale i pandehuri ka fshehur trupin e pajetë, i cili më pas është gjetur i groposur, pa përjashtuar edhe të kaluarën e tij kriminale, pasi pandehuri ka edhe 2 Aktgjykime të plotfuqishme njëri prej të cilëve ka të bëjë me një rast që besohet se viktimë ka qenë tani i ndjeri, për çka me lënien e tij në liri, ekziston mundësia e kryerjes së ndonjë vepre tjetër të natyrës së njëjtë apo të ngjashme”, theksohet në njoftim.

Në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës është thënë se pas intervistimit i dyshuari, Top Kolshi e kishte pranuar se ka kryer veprën penale.

“Gjatë këtij veprimi policor në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit, është arrestuar dhe ndaluar një person i dyshuar mashkull me inicialet T.K. Pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale. I njëjti është ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar procedurat e mëtutjeshme ligjore. Prokuroria dhe Policia mbeten të përkushtuar për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë./Reporteri.net