Një muaj paraburgim për Liridon Fetahin, të kërkuarin nga INTERPOL-i

Gjykata Themelore në Prishtina ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Liridon Fetahit, njërit nga personat më të kërkuar në Evropë.

Sipas vendimit të Themelores, Fetahi dyshohet se ka kryer veprën penale të Vrasjes.

Në njoftim thuhet se “gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.F., ashtu që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

Fetahi ishte listuar për kërkim në EUROPOL dhe INTERPOL me kërkesë të autoriteteve të Danimarkës, pasi dyshohet për përfshirje në raste brutale.

Ai po kërkohej në të gjithë botën për përfshirje në tri vrasje. Dy prej tyre kishin ndodhur si pasojë e përplasjes mes dy bandave kriminale në Kalundborg të Danimarkës, më 17 nëntor të vitit 2020.

Fetahi u arrestua nga Policia e Kosovës dje.