Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj avokatit Venhar Hana dhe instruktorit Dritmir Islami, lidhur me dyshimet për dallavere me pronën e ish-Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), në lagjen Veternik të Prishtinës.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e gjykatës, Milrinda Gashi, e cila bëri të ditur se masa është caktuar me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda.
Prokuroria në dosjen me të cilën kishte parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj avokatit Venhar Hana dhe Dritmir Islami, lidhur me dyshimet për dallavere me pronën e ish-Radio Televizionit të Prishtinës (RTP) në lagjen Veternik të Prishtinës.
Venhar Hana dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar dyshohen se në bashkëkryerje kanë falsifikuar plotësisht aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit të datës 28.04.1976.
Më tej thuhet se fillimisht, derisa Slavica Mikiq kishte synuar të rregullonte dokumentacionin e një prone (shtëpie/barake) në rrugën “Sylejman Vokshi” në Prishtinë, në fillim të vitit 2021, tashmë i ndjeri F.K. kishte shkuar në shtëpinë e saj dhe e kishte bindur se do të aplikonte në emër të saj në Arkivin e Kosovës.
Gjithnjë sipas kërkesës, thuhet se për tërheqjen e dokumentacionit është pretenduar se është aplikuar dhe është siguruar një aktgjykim i Gjykatës së Prizrenit me shenjën …, i datës 28.04.1976. Ky dokument është vendosur në Arkivin e Kosovës në mënyrë të kundërligjshme. Pas vdekjes së F.K.-së, të pandehurit Venhar Hana dhe Dritmir Islami, edhe pse e dinin se Slavica Mikiq nuk kishte qenë pronare e kësaj prone dhe se aktgjykimi ishte i falsifikuar, kanë vazhduar veprimet.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Venhar Hana e njofton Slavica Mikiqin se toka është bartur në emër të saj dhe se ajo do të përfitonte një banesë dhe para në dorë. Më pas, Dritmir Islami shkon në shtëpinë e saj, e merr dhe bashkë me Hanën takohen në një kafiteri në lagjen Ulpiana. Pas konsultimeve, Slavica Mikiq shkon te noterja Valdete Ademi dhe me datë 21.05.2021 e autorizon Venhar Hanën që ta përfaqësojë pranë institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, më pas Hana paraqet kërkesë në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Prishtinës, e cila dy herë e refuzon me arsyetimin se aktgjykimi është i paekzekutueshëm dhe i kundërligjshëm. Megjithatë, ai përsëri përdor aktgjykimin e falsifikuar dhe paraqet kërkesë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, e cila më pas detyron Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Prishtinës që, duke u bazuar në këtë aktgjykim, të regjistrojë pronën në emër të Slavica Mikiq.
Kësisoj, në dosjen e Prokurorisë, shkruan se Mikiq ishte bërë pronare e tokës me sipërfaqe 3.92 hektarë në Veternik të Prishtinës, e cila ka qenë pronë e Radio Televizionit të Prishtinës, përkatësisht e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me vlerë rreth 12 milionë euro.
Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit”, nga neni 390 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1, si dhe me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjithashtu, sipas dosjes, ekziston dyshimi i arsyeshëm se gjatë vitit 2021, në Prishtinë, të pandehurit Slavica Mikiq dhe Venhar Hana, duke përdorur dokumentin e falsifikuar – aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit – kanë pretenduar se Mikiq ka fituar të drejtën për t’u bërë pronare e tokës në Veternik.