Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet Z.S., i dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ka kërkuar caktimin e kësaj mase për shkak të dyshimeve të bazuara ndaj të pandehurit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Z.S., ashtu që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftim.

Sipas gjykatës, masa e paraburgimit është konsideruar e nevojshme për shkak të rrezikut të arratisjes dhe pengimit të procedurës.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i arratisjes pasi i njëjti posedon edhe shtetësinë e Republikës së Serbisë dhe ekziston mundësia reale që të ik nga Kosova”, thuhet më tej.

Gjykata ka theksuar gjithashtu se ekziston rreziku që i pandehuri të ndikojë në prova.

“Po ashtu nëse i pandehuri gjendet në liri mund të fsheh, asgjësoj apo ndryshojë prova… andaj Gjykata vlerësoj se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.”

Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykata e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.