Një muaj paraburgim ndaj serbit Millosh Antoviq për pjesëmarrje në protestat e dhunshme ndaj KFOR-it në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Millosh Antoviqit, i dyshuar për pjesëmarrje në protestat e dhunshme të 29 majit 2023 në Zveçan.

Vendimi është marrë më 16 prill 2025, pas aprovimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Lajmin e ka konfirmuar vetë Gjykata e Prishtinës.

Në protestën në fjalë, kishin mbetur të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it, përfshirë 93 të lënduar sipas të dhënave zyrtare.

Sipas Prokurorisë, Antoviq, 31 vjeç, u arrestua nën dyshimin për një sërë veprash penale, përfshirë:

Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese

Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare

Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm

Sulm ndaj personit zyrtar

Shitblerje të narkotikëve

Armëmbajtje pa leje

Gjatë kontrollit në vendbanimin e të dyshuarit, autoritetet kanë sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancave narkotike dhe pajisje të ndryshme.

Në mesin e provave të sekuestruara, sipas PSRK-së, përfshihen:

751 gram substancë e dyshuar narkotike

292 gram shpuzore me substancë narkotike

207 gram tabak metali me substanca narkotike

Peshore e vogël e dyshuar për matjen e lëndëve narkotike

Pushkë ajrore

12 aparate për prodhimin e kriptovalutave (Riga)

Telefon Samsung Galaxy S22 Ultra me IMEI përkatës

Në lidhje me protestat e 29 majit 2023, autoritetet kanë arrestuar edhe persona të tjerë.

Ndër ta është edhe Marko Daniq, i arrestuar në Mitrovicën e Veriut më 15 nëntor 2024.

Ai dyshohet për pjesëmarrje në të njëjtën protestë dhe për kryerjen e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Protestat kishin shpërthyer pas tensioneve në rritje mes përfaqësuesve të Listës Serbe dhe autoriteteve të Kosovës.

KFOR-i kishte ndërhyrë për të parandaluar eskalimin, ndërsa Lista Serbe kundërshtonte praninë e Policisë së Kosovës në veri.

Për këto ngjarje, deri më tani ka pasur të arrestuar, të akuzuar dhe disa të dënuar nga Gjykata e Prishtinës.