Duhej të ishte një Milan më italian, por merkatoja po tregon krejt të kundërtën. Edhe në këtë dritare transferimesh, kuqezinjtë po investojnë te lojtarët e huaj, një trend tashmë i zakonshëm në vitet e fundit. I vetmi përjashtim mbetet Samuele Ricci, i ardhur nga Torino për të marrë komandën e mesfushës, pa harruar Pietro Terracciano, i regjistruar si zëvendësues i Maignan.
Në kontrast të plotë, janë larguar shumë më tepër “italianë” nga Milani drejt Serie A apo B: Pobega, Sportiello, Florenzi (me kontratë në skadencë), Colombo dhe Camarda. Shumë shpejt mund të largohet edhe Filippo Terracciano, i kërkuar nga Verona dhe Cremonese.
Pavarësisht kësaj linje që, pëlqehet apo jo, është ndjekur edhe nga drejtori i ri sportiv Igli Tare, pasojat janë të qarta për listën që Milani duhet të paraqesë për kampionatin e ardhshëm të Serie A. Lista duhet të përbëhet nga 25 lojtarë, prej të cilëve të paktën 8 të jenë të formuar në një klub italian. Nga këto, 4 duhet të kenë dalë nga sektori i të rinjve të vetë klubit.
Duke bërë një përmbledhje të situatës te Milani; aktualisht vetëm dy lojtarë italianë të formuar në Itali janë të sigurt që do të mbeten: Pietro Terracciano dhe Samuele Ricci. Në këtë kategori përfshihet edhe Warren Bondo, pasi ka qenë i regjistruar në Itali për tri sezone të plota midis moshës 15 dhe 21 vjeç.
Sidoqoftë, edhe Bondo është në listën e largimeve. Në anën tjetër, Gabbia, Bartesaghi dhe Torriani janë të vetmit lojtarë të rritur në akademinë e Milanit, përjashto Mattia Liberali, i cili është drejt largimit.
Ky është edhe një sinjal merkatoje i qartë për të përforcuar skuadrën pa prekur kuotën e 17 lojtarëve të huaj. Igli Tare mund të orientohet drejt profileve “alla Bondo”, pra lojtarë që janë teknikisht të huaj, por që konsiderohen të formuar në Itali sipas rregullores. Kjo nënkupton lojtarë që kanë pasur një të kaluar të shkurtër në Itali në moshën e re, por që bëhen vendimtarë për kuotat e listës.
The post Një Milan gjithnjë e më i huaj…; pasojat për listat dhe një pistë merkatoje appeared first on Telesport.