Që në krye të herës po i drejtohem me një pyetje fare të thjeshtë lexueseve dhe lexuesve të mi seriozë: “A mund të më thoni se çfarë e karakterizon sot, në këtë fillimviti 2018, Skënderbeun tonë legjendar, që rri natë e ditë mbi kalë i gatshëm për t’u nisur diku, për mirë a për keq”? Oh, e marr fort mirë me mend që përgjigjet e tyre mund të jenë nga më të ndryshmet dhe nuk do të përpiqem të përfytyroj me shkrim se si mund të ishin formuluar ato.
Për sa më përket, gjithmonë më ka bërë përshtypje e më është dhimbsur vetmia e tij e heshtur, një vetmi shumëshekullore me të paktën dy zhgënjime post mortem e, njëkohësisht, dy ngadhënjime: mbretërimi i monumentit të Stalinit për jo pak kohë në sheshin kryesor të Tiranës dhe sfida që i bëri Heroit tonë Kombëtar monumenti i Enver Hoxhës duke iu kundërvënë, në njëfarë mënyre, nga cepi i të njëjtit shesh diku pranë Muzeut Historik Kombëtar.
Fatmirësisht, që të dy këta sfidues, monumenti i Gjergjit Kastriotit tonë mitik, i mposhti përfundimisht duke i përzënë nga sheshi i tij monumentet e tyre, pra, atë të diktatorit sovjetik dhe atë të diktatorit pseudoshqiptar, për të mos thënë antishqiptar. Sidoqoftë, kurrë nuk do të më besohej që Skënderbeut tonë mund e do t’i vinte për vizitë – përkohësisht, ta pret mendja, me rastin e vitit të Ri, në sheshin përfundimisht të tijin, jo si monument rivali apo konkurrenti – fotografia me përmasa të mëdha e me ngjyra e një personazhi fort të njohur, me origjinë italiane, sidomos në botën e kinematografisë.
Që të mos ua acaroj më gjatë kureshtjen e sidomos durimin lexueseve dhe lexuesve të mi seriozë, po nxitoj t’u shpjegoj më qartë se si qëndron puna: Andej nga java e fundit e vitit 2017, i cili sapo kaloi me bisht në shalë e brirë në ballë (sepse u ndje i tradhtuar e, rrjedhimisht, i zhgënjyer nga qeveria jonë zulmë e veçanërisht zhurmëmadhe), kur sheshi “Skënderbe” u kthye në një vend zbavitjeje me disa si baraka qitjeje dhe një si hangar me makina përplasëse, pa harruar disa si kioska anonime të çfarëdollojshme, në një atmosferë gjysmë të zymtë së cilës me shumë vështirësi arrinte deri diku t’i jepte disa nota mjerane gëzimi të frenuar vetëm Bredhi i Viti të Ri po aq i vetmuar sa Skënderbeu unë i heshtur, por jo shurdhmemec. Pra, atë javë fundviti, tek kaloja përmes sheshit më provincial se kurrë, sytë më zunë pikërisht fotografinë e stërmadhe të… të Sylvester Stallones (me gjasë në rolin e Rambos), pranë një stende qitjeje!
Oh, natyrisht, kishte ardhur si mik, por, gjithsesi, lakuriq nga mesi e lart, plot muskuj të skuqur, duke shtënë (mbi kë?) me një automatik që villte zjarr nga tyta. Mos vallë kishte ngatërruar vitet duke pandehur se ende ishim në vitin e mbrapshtë 1997? Nuk besoj. Sidoqoftë, nuk e kishte kthyer armën e vet në drejtim të Skënderbeut. Por kundër kujt po qëllonte?
Ah, ndoshta po shtinte me fishekë mësimorë për të inkurajuar fishekzjarrët fishkaraqe të festës sonë më popullore edhe në momentin kur Viti i Vjetër do t’ia dorëzonte stafetën e fjetur Vitit të Ri të sapozgjuar në Arnautistan (për pak sa nuk shkrova Afganistan, prandaj u kërkoj ndjesë të ndershme lexueseve dhe lexuesve të mi, qofshin këto e këta pjesërisht ose plotësisht seriozë, kuriozë, tekanjozë apo edhe karagjozë!). Gjithsesi, pavarësisht realitetit, në sheshin “Skënderbe” për dhjetëditëshin nga 25 dhjetori 2017 deri më 3 janar 2018, fakti është që, më në fund, një mik i huaj i erdhi për vizitë Skënderbeut tonë të kredhur në vetminë e tij të heshtur!
Jam i bindur e i stërbindur që merita për këtë i takon katërcipërisht dhe pa ngurrim, pa diskutim e pa kundërshtim, vetëm zotit kryetar të Bashkisë së kryeqytetit tonë që bëri të mundur, me rastin e festave të fundvitit, vizitën e lavdishme të Sylvester Stallones! Shpresoj se në fund të këtij viti, Skënderbeut tonë fatlum do t’i vijë për një vizitë burrërisht miqësore jo më fotografia e stërmadhe e Sylvester Stallones, por vetë Ramboja heroik dhe se zoti kryebashkiak i Kryeqytetit tonë kryelartë do ta lejojë atë t’ia hipë kalit krenar të Skënderbeut për të bërë, të paktën natën e Vitit të Ri, nën krismat e fishekzjarrëve fitimtare, një xhiro xhentëlmenësh në xhenetin shqiptar!
Shkruan : Edmond Tupja