Derisa në pikat e shitjes me pakicë një litër naftë sillet rreth 1 euro e 30 centë, e në disa raste kalon edhe në mbi 1 euro e 40 centë për naftë të klasës më të lartë, çmimi mesatar i importit për sasinë e njëjtë, përfshirë taksat, për muajin mars ishte pak më shumë se 1 euro e 6 centë. Rreth kësaj diference të lartë dhe masave të ndërmarra ka heshtur Ministria e Tregtisë, si dhe Inspektorati.
Më pak se një euro e shtatë centë (1.068 Euro) ishte çmimi mestar i importit për një litër naftë në muajin mars, përfshirë taksat.
Bazuar në statistikat e Doganës së Kosovës, muajin e kaluar, u importuan më shumë se 64 milionë litra naftë për më pak se 36 milionë euro (35.95 milionë euro), ndërsa për taska dhe akcizë u paguan edhe afër 33 milionë euro të tjera (32.94 milionë euro).
Çmimi mestar i importit të një litri naftë, pa taksa, ishte 55.7 centë.
Por çmimet në pikat e shitjes me pakicë, lëvizin nga 1 euro e 19 centë deri në 1 euro e 33 centë për naftë standarde – varësisht kompanive e qyteteve.
Ndërsa, për naftë që konsiderohet e klasës më të lartë, çmimi tejkalon 1 euro e 40 centë – varësisht kompanive që e shesin atë.
Në Shoqatën e Naftëtarëve nuk u deklaruan për diferencën ndërmjet çmimit të importit dhe atij të shitjes me pakicë.
Ndërsa as Ministria e Tregtisë, bashkë me Inspektoratin përkatës, nuk kthyen përgjigje në pyetjet e televizionit lidhur me këtë temë.
Referuar diferencave të larta, përtej instrumenteve ekzistuese shtetërore ish-ministri i Tregtisë Ismet Mulaj përmend një zgjidhje e cila do të përqendrohej tërësisht brenda sektorit të tregtimit me naftë dhe produkte të saja.
“Institucionet e Kosovës nëse nuk arrijnë përmes Inspektoratit të Tregut dhe Autoritetit të Konkurrencës ta stabilizojnë çmimin e naftës, të krijojnë rregull për këtë produkt në tregun e Kosovës, është në interes të mendohet të krijohet një Rregullator, ashtu siç e ka shteti i Maqedonisë (së Veriut) me qëllim që të stabilizohen çmimet dhe të jenë në harmoni me kërkesat e tregut”, ka deklaruar Ismet Mulaj, Ish-Ministër i Tregtisë.
Krahas taksave standarde, Kosova aplikon edhe akcizë në vlerë 36 centë për një litër naftë.
Më 2022, Qeveria miratoi një udhëzim administrativ për aplikim të përkohshëm të çmimeve tavan në sektorin e naftës, me të cilin kohë pas kohe, marzha e shitjes me pakicë u kufizua në 12 centë për litër.