Një lëndë e hoqi, tash shkruan komente ndaj lëndës së ‘Srpska’-s, Osmani kërkon të mos lejohet askush të bllokojë

Heshtja e saj për më shumë se gjysmë viti është lexuar për miratim të plotë, ndonëse nën-zë, të kursit të Vetëvendosjes; kurs ky i cili ka e ka çuar deri në skajshmëri vonesën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, me synimin për të mos rrjedhur afatet kushtetuese 15 ditore për votim të qeverisë së re, për të cilën Albin Kurti, mandatari i supozuar, nuk i ka votat. Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës e zgjedhur me vota të Vetëvendosjes dhe nën trenin e tyre zgjedhor në vitin 2021, tash krejt në fund të mandatit të saj, është përfshirë në ‘tentim’ për adresim të situatës në Kuvend të Kosovës, dhe, sërish, në premisa të ngjashme të argumentimit të Vetëvendosjes. Dhe, krejt kjo, për një pozitë të parëndësishme, politikisht të papeshë, të mbivotueshme në absolutitet 5/1, të një Nënkryetari serb të Kuvendit, që parashihet t’u takojë komunitetit serb me Kushtetutë.

Nesër kur shënohet afati i fundit i dërgimit të komenteve në Gjykatën Kushtetuese për lëndën e ngritur nga Lista Serbe për çështjen e Nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës, Osmani do të dorëzojë komentet e veta. Nga Presidenca veçse treguan se në çka do të thirret Osmani: në Nenin 57, Pika 4, e Kushtetutës së Kosovës. “Ushtrimi i këtyre të drejtave do të bartë me vete detyrimet dhe përgjegjësitë për të vepruar në pajtim me ligjin e Republikës së Kosovës, dhe nuk i cenon të drejtat e të tjerëve”, thotë Neni ku thirret Osmani.

“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator.

Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, tha Bekim Kupina në një përgjigje me shkrim për media.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator për të vendosur për çështjen e ngritur nga Lista Serbe për çështjen e Nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës, dhe mbylljen e seancës konstitutive nga Kryetari Dimal Basha, edhe pa zgjedhjen e një Nënkryetari serb të Kuvendit, pozitë kjo e garantuar në Planin e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës.

Por, thirrjen dhe konstatimin që “askush nuk mund të bllokojë” Osmani nuk e ka invokuar në muaj të tërë uzurpim procedural nga Avni Dehari për të ashtuquajturin “Komision për Votim të Fshehtë” i cili në fund u shpall antikushtetues.

Nga Vetëvendosje dje pati sulme të rënda ndaj Gjykatës Kushtetuese, sulme këto me nëntekste diktimi të vendimit se çfarë duhet ta marrin: Glauk Konjufca, madje e çoi, se e “e treta, e paimagjuenshmja, do të thotë tradhti shtetërore”. Nga VV ‘porositë’ ndaj Gjykatës Kushtetuese ishin që ose të konsiderohet i konstituuar Kuvendi i Kosovës, ose të marrin vendim për shkaurjen në zgjedhje të reja.

“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha ai.

“Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm”, tha Konjufca. “Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe”, tha Konjufca.