Një komunë e Malit të Zi “anulon” njohjen e Kosovës

Sipas vendimit të Zetës, në territorin e kësaj komune nuk do të vlejë pavarësia e Kosovës. Partia pro-serbe DNP, që është pjesë e koalicionit qeveritar në nivel qendror në Mal të Zi, e ka përshëndetur vendimin, ndërkohë atë e ka kritikuar ministri i administratës publike Marash Dukaj. Ai është shqiptar nga Tuzi
Asamblistët e Kuvendit komunal të Zetës në Mal të Zi, kanë votuar të martën një deklaratë për anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës në territorin e Zetës, ka njoftuar televizioni publik malazez “RTCG”.

Për deklaratën kanë votuat asamblistët e DNP-së e Novas, pastaj Marko Vukçeviq nga demokratët dhe asamblistët e pavarur Nikola Rajoviq, Svetozar Uliçeviq dhe Lidija Paniq.

Asamblistët e DPS-së, parti që udhëhiqej nga Milo Gjukanoviq, nuk kanë marrë pjesë në seancë, ndërsa para votimit sallën e kanë lëshuar asamblistët e demokratëve Aleksandra Petriçeviq dhe Luka Krstoviq.

Propozuesi i vendimit Nebojsha Nikçeviq ka thënë se iniciativën e kanë nënshkruar 18 asamblistë.

Ai ka theksuar se Kuvendi i Komunës së Zetës konstaton se të gjitha Qeveritë e deritanishme kanë injoruar qëndrimin shumicë të qytetarëve të Malit të Zi se Kosova është sipas tij, pjesë përbërëse e Serbisë.

Vendimi ka nxitur menjëherë reagime.

Kryetari i Partisë Demokratike Popullore (DNP) dhe deputet në Kuvendin e Malit të Zi, Milan Knezheviq, e ka përshëndetur vendimin.

Në fakt, ai ka paralajmëruar se do të ndërmarrë iniciativë edhe në Kuvendin e Malit të Zi për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kjo parti është pro-serbe dhe është pjesë e koalicionit qeveritar i kryesuar nga “Lëvizja, Evropa tash”.

Ka reaguar edhe ministri i administratës publike Marash Dukaj. Ministri shqiptar nga “Alternativa Shqiptare”, këtë vendim e ka quajtur kthim prapa në procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Dukaj ka theksuar se nuk është i befasuar nga deklarata e Kuvendit të komunës së Zetës për anulimin e vendimit shtetëror për njohjen e Republikës së Kosovës.

“Pa hyrë në elementet kushtetuese-juridike që një akti të tillë politik nuk i japin rëndësi detyruese, megjithatë këtu bëhet fjalë për fenomenin e përpjekjes për marrjen e kompetencave të huaja dhe ndërhyrjen në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që janë qëllimi parësor i vendit tonë”, ka shkruar Dukaj në profilin e tij në rrjetin social X.

Ministri Dukaj ka vlerësuar se komuna më e re në këtë vend duhet të jetë e orientuar drejt krijimit të kushteve më të mira për jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e komunitetit, në vend të veprimeve që, kontribuojnë në dobësimin e institucioneve për interesa politike dhe qëllime gjeopolitike.

“Definitivisht, dhe për fat të keq – hap prapa në ndërtimin e së ardhmes evropiane”, ka thënë ai.

Mali i Zi e ka njohur Kosovën në kohën sa qeverisej nga Milo Gjukanoviq më 9 tetor 2008.