Një javë pasi u tërhoq nga AAK, Ilir Tasholli i bashkohet Vetëvendosjes

Ish-kandidati për kryetar të Lipjanit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ilir Tasholli, ka njoftuar sot se i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), një javë pas tërheqjes së tij nga gara zgjedhore, përcjell KosovaPost.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Tasholli tha se në këtë hap e kanë shoqëruar edhe disa nga përkrahësit e tij.

“Bashkë me disa prej përkrahësve të dashur, sot iu bashkuam Lëvizjes Vetëvendosje, e cila më së miri mishëron vullnetin për ndryshim, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm për Lipjanin dhe për gjithë vendin,” ka shkruar ai.

Tasholli gjithashtu bëri të ditur se do të mbështesë kandidatin aktual të LVV-së për kryetar të Lipjanit, Ilir Qeriqin, duke shtuar se ndan me të vizionin për një qeverisje lokale të ndershme dhe të afërt me qytetarët.

“Të përkushtuar për të ardhmen e Lipjanit, do të jemi në përkrahje të mikut tonë, kandidatit për kryetar nga LVV, z. Ilir Qeriqi,” ka thënë Tasholli.

Më 22 korrik 2025, ai kishte bërë të ditur tërheqjen nga kandidatura për arsye që i kishte cilësuar si “objektive”.

Ilir Tasholli ka një karrierë të gjatë politike. Ai ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku ka shërbyer si deputet në Kuvendin e Kosovës në vitet 2019–2021.

Po ashtu, në vitin 2019 ka ushtruar funksionin e drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Lipjanit.

The post Një javë pasi u tërhoq nga AAK, Ilir Tasholli i bashkohet Vetëvendosjes appeared first on Kosovapost.net.