Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnate në qytetin e Gjakovës.
Dy persona të moshës madhore janë qëlluar me armë zjarri, ku si pasojë njëri prej tyre ka vdekur.
Këtë e ka konfirmuar për Reporteri.net Policia Rajonale e Gjakovës.
“Sot rreth orës 05:30, jemi njoftuar se në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë dy persona meshkuj, të moshës madhore, janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes (ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij)”, ka thënë Shermet Elezi, zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjakovë për Reporteri.net.
Ai thotë se personi tjetër i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa policia po zhvillon hetimet për arrestimin e të dyshuarit.
“Personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Njësitë përkatëse policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes. Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.” ka thënë Elezi.










