Prej tre ditësh, në shumë zona Shqipëria vijon të jetë e përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Këtë të enjte është regjistruar edhe viktima e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar u gjet pa shenja jete në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se shtetasi A. H. është marrë nga rrjedha e ujit, raportojnë mediat atje.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.
Në disa zona të Elbasanit si dhe në veri, shiu i ka lënë reshje dëborës, e cila ka shkaktuar vështirësi në qarkullim në shumë akse.
Në Vlorë, niveli i Vjosës në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra, janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë.
Në Shkodër ka rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. Ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë. 15 banesa janë të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës. Në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët autorurale, që kanë shkaktuar dëmtime.
Në Lezhë rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë. Është bërë evakuimi i dy familjeve, rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll, rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh dhe po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.
Në Durrës, një nga zonat më të prekura, po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, ish- Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë. Në terren ndodhen ekipe të vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve: 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit të FA, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kovalishencën e Ministrisë së Brendshme. Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuota maksimale; disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.
Në Krujë si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.
Në Shijak ka prani uji në 15 banesa. Situata problematike veçanërisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.
Në Gjirokastër, si pasojë e reshjeve të dendura ka rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, ku qarkullimi është i kufizuar; po punohet për rikthimin e energjisë në disa zona malore; ka nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet.
Po ashtu, ka rritje të niveleve të lumenjve në Rrogozhinë dhe Kavajë, por pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.
Në Korçë ka disa rrugë të pakalueshme në Devoll si dhe janë evidentuar rrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas. Në Maliq ka sipërfaqe të tokave bujqësore nën ujë.
Rreth 95 ha tokë bujqësore nën ujë në Berat. Është evidentuar rritje e nivelit të lumit Osum. Në lagjen 22 Tetori dhe Goricë, janë marrë masa për sigurimin e bizneseve dhe punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.
Rreth 200 ha tokë bujqësore e përmbytur në Fier. Ka prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra; në qarqet e tjera nuk paraqiten problematika serioze./Top Channel










