Një i plagosur në Mitrovicë, detajet e rastit nga Policia

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e plagosjes në Mitrovicë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicë, ka njoftuar se rasti me të shtëna ka ndodhur në fshatin Zhabar.

Ai ka bërë të ditur edhe se, i plagosuri është i moshës madhore, dhe se, janë duke u bërë hetimet.

‘’Rreth orës 22:00 Policia ka pranuar një informatë për të shtëna me armë zjarri, të ndodhura në  fshatin Zhabar  te Mitrovices se Jugut.

Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se një person i moshës madhore ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit. I njëjti është dërguar në spital për tretman mjekësor.

Njësitet përkatëse policore janë duke zhvilluar hetimet’’, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Shpend Fazliu, ka njoftuar se viktima është jashtë rrezikut për jetën.

‘’Ju konfirmojmë se  në ora 22:25, në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është paraqitur për trajtim mjekësor emergjent, një rast( 1982). Pas ekzaminimeve mjekësore nga stafi Emergjent, është konstatuar lëndim në këmbë, me armë zjarri. Aktualisht, po vazhdon trajtimi dhe i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë!’’, ka njoftuar ai