Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e rrëzimit të fasadës së një objekti në Fushë Kosovë për shkak të erërave të forta.
Drejtori i Shërbimeve Publike i kësaj komune, Izja Mjeku, ka njoftuar për rastin, duke thënë se ka ndodhur pranë shkollës “Mihal Grameno” gjatë mbrëmjes.
“Për shkak të erërave të forta që po mbizotërojnë aktualisht në Fushë Kosovë, rreth orës 21:00 kemi pranuar një telefonatë se te shkolla Mihal Grameno ka rënë fasada e një objekti. Si pasojë, një person i rastit është lënduar, një veturë është dëmtuar dhe është shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion”, ka shkruar Mjeku në Facebook.
Ai tutje ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore, teksa personi i lënduar po trajtohet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Ekipet e Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë tonë, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me qytetarët kanë pastruar zonën. Personi i lënduar është duke u trajtuar në QKMF”, ka shkruar më tej ai.










