Një grup i deputetëve të PE-së i shkruajnë Ursula von der Leyen, kërkojnë që Kosovës t’i hiqen masat menjëherë

Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian (MEP) i kanë dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, duke i bërë thirrje që të heqin menjëherë të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, në një postim në platformën X.

Terras ka postuar po ashtu letrën që i është drejtuar presidentes së KE-së dhe komisioneres për zgjerim, të premten më 19 dhjetor.

“Ne, deputetët e nënshkruar të Parlamentit Evropian, kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023. Masat që Komisioni Evropian i hartoi dhe i vendosi ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta, joproporcionale dhe kundërproduktive që nga fillimi. Ato nuk kanë pasur asnjë qëllim real që nga momenti i vendosjes, dhe Bashkimi Evropian nuk ka arritur asgjë me këto masa përveçse një rënie të opinionit publik në Kosovë ndaj Bashkimit Evropian.

Ndikimi negativ i masave të Bashkimit Evropian në shoqërinë e Kosovës është jashtëzakonisht i thellë dhe ndihet në shumë fusha të ndryshme të jetës. Organizatat e shoqërisë civile, sektorët kulturorë dhe arsimorë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sektori i energjisë dhe shumë të tjerë po vuajnë nga këto masa të panevojshme”, thuhet në letër.

Tutje thuhet se ndikimi i masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndihet kryesisht në jetën lokale, dhe më pak në nivel qeveritar.

“Ndëshkimi i popullit të Kosovës përmes masave të tilla duhet të ndalet duke i hequr 100% të masave. Heqja e 50% të tyre nuk është e mjaftueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që menjëherë t’i japë fund këtyre masave. Kjo duhet të bëhet para zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025”, thuhet në letër.

Kujtojmë se presidentja e Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor, tha lajmet se masat ndaj Kosovës po hiqen.

Kjo pasi ka ndodhur transferimi i pushtetit në zgjedhjet lokale në veri të vendit.

Ajo tha se BE-ja do të ketë mbështetje financiare për Kosovën.

“Lajm i mirë për Kosovën! Transferimi i qeverisjes lokale në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale ishte paqësor. Falë kësaj, jam i lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Ne po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare. Dhe kemi ndërmend të lëvrojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar ajo në “X.