Një aksident i ndodhur në rrugën Brus–Kopaonik në Serbi, në muajin mars, në të cilin ishte i përfshirë automjeti i ekipit të sigurimit të liderit të grupit paramilitar serb, Millan Radoiçiç, përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe, në veri të Kosovës – përfundoi tragjikisht për një person.
R.M., një grua e moshuar që u lëndua rëndë në aksidentin e ndodhur më 15 mars ndërroi jetë më 8 prill në një spital në Beograd, pas 24 ditësh qëndrimi në kujdes intensiv, në bazë të raportimit të revistës së pavarur investigative serbe “Radar” të martën, që zbardhi detaje pavarësisht heshtjes institucionale dhe mediatike në Serbi.
Ky aksident kishte ndodhur kur një veturë e tipit “Skoda” në pronësi të ekipit të sigurimit të Radoiçiçit u përplas me një veturë të tipit “Lada” të drejtuar nga të moshuarit, djali i të cilëve rastisi të jetë zyrtar policor. Në bazë të raportimit të revistës, vetura e sigurimit të Radoiçiçit ishte duke përcjellur një veturë me targa të huaja.
Dy të rinjtë që shkaktuan aksidentin, nuk kanë kaluar as në procedurat e zakonshme policore. Ata nuk ishin lënduar, ndërsa çifti i moshuar ishte dërguar në njësitet intensive të kujdesit. E “Radari” raportoi se reagimi institucional ka qenë inekzistent, transmeton albanianpost.
Radoiçiçi është i akuzuar nga Prokuroria e Kosovës, së bashku me 43 persona të tjerë, për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Deri më tani, vetëm tre nga të akuzuarit janë arrestuar dhe ndodhen në paraburgim sepse autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiçin dhe të tjerët në Kosovë.